Tre aleatët e Partisë Socialiste, PSD, PDS dhe PSV91, kanë dalë konkretisht me propozime për komisionin e reformës zgjedhore.
Në shkresën përkatëse dërguar komisionit, këto tri parti propozojnë korrigjim kombëtar të proporcionalit rajonal nëpërmjet formulës 100 plus 40 si një formulë që risjell frymën pluraliste në përfaqësimin parlamentar, limiton monopolet politike, sjell në parametra objektivë përfaqësimin e votës popullore në mandate parlamentare dhe garanton moderacion antikrizë në funksionimin e parlamentit.
Krahas propozimeve për sistemin, tri partitë kanë kërkuar edhe reforma në procësin e identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet teknologjisë biometrike, në numërimin e votave nëpërmjet skanimit elektronik, në përbërjen e administratës zgjedhore si edhe në çështje të tjera si financimi i subjekteve elektorale e pasqyrimi mediatik i fushatës zgjedhore të këtyre subjekteve.
Dokumenti i përbashkët ishte produkt i takimeve të shpeshta mes kryetarëve Skënder Gjinushi, Paskal Milo e Petro Koçi në ditët e fundit, të cilët kanë hedhur idenë e bashkimit për garën e ardhshme zgjedhore në vitin 2013.
Nuk dihet ende nëse partitë e mëdha, PD e PS, do të marrin ose jo parasysh propozimin e tre partive të vogla të majta.
Top Channel