Papa Benedikti XVI uron në shqip

25/12/2011 00:00

Urimet në 65 gjuhë të botës, përfshirë atë shqipe, që i drejtohen të gjitha vendeve të globit nisur nga Italia. Mesazhi i sivjetshëm “Urbi et orbi”, i Papës Benedikt kishte në qendër të tij shpresën që lindja e Krishtit shpëtimtar e pritja e gëzueshme e ungjillit të tij të mbushë zemrat e besimtarëve, të sjellë paqe në familje, ngushëllim për kë vuan e të ndihmoje njerëzit të shtojnë besimin mes tyre për të ndërtuar së bashku një të ardhme shprese, më vëllazërore e më solidare.

Por mbi të gjitha tha Ati i Shenjtë, uroj t’i japë zë atij që nuk ka, një apel i ri ky kundër luftrave e dhunës që kanë përgjakur planetin.

Në fakt, në mesazhin drejtuar qytetit dhe botës, kreu i kishës katolike i kushtoi vëmendje të vecantë Sirisë. “Dhëntë Zoti, tha Benedikti i 16-të, që dhuna atje të marrë fund sepse shumë gjak është derdhur”.

Më herët, në meshën tradicionale të Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, Papa sulmoi në predikimin e tij komercializimin e Kërshëndellave, duke i kërkuar besimtarëve të shohin përtej shkëlqimit sipërfaqësor të sezonit festiv për të rizbuluar femijën që lindi në një grazhd në Betlehem.

“Krishtlindjet sot janë shndërruar në një festë tregtare, vezullimi i dritave të së cilës fsheh misterin e përulësisë së Zotit, që kërkon modesti dhe thjeshtësi. Le t’i kërkojmë atij të na ndihmojë të shohim përtej shkëlqimit festiv dhe të rigjejmë gëzimin e dritën e vërtetë”, tha Papa në fjalën e tij.

Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë shprehu edhe keqardhjen për praninë e vazhdueshme të dhunës nëpër botë. Mesha e prag-Kishtlindjeve u mbajt këtë radhë në orën 10, dy orë përpara mesnatës për të shmangur qëndrimin e vonë të Benediktit, shëndeti i brishtë i të cilit e detyroi 84 vjecarin të përdorte një platformë të lëvizhme për tu zhvendosur. Pavarësisht problemeve shëndetësore, mesazhi i tij ishte i fortë e i drejtëpërdrejtë: Krishti lindi në varfëri, dhe i kujtoi të gjithëve nevojën për përulësi.
 
Me dhjetëra mijëra pelegrinë të krishtere dhe turistë janë mbledhur ndërkohë nga e gjithë bota për të kremtuar ditën e Krishtlindjeve në Betlehem.

Festimet kulmuan në mesnatë në kishën 1.700 vjecare e Lindjes së Krishtit. Rreth 120.000 vizitorë kanë mbërritur në qytetin palestinez të bregut perëndimor, 30% më shumë se vitin e kaluar.

Mesha e mesnatës u drejtua nga patriarku latin i Jeruzalemit, Fuad Tëal, i cili kaloi përmes portës së madhe të barrierës rrethuese izraelite që ndan Jeruzalemin nga Betlehemi dhe mbërriti në sheshin e Grazhdit, ku u prit nga një bandë muzikore.

Predikimi i tij i mesnatës apelonte për kthimin e qetësisë dhe për pajtim në Siri, Egjipt, Irak dhe Afrikën Veriore.

I pranishëm në ceremoni ishte dhe presidenti i autoritetetit palestinez, Mahmud Abaz, i cili tha se shpreson që viti i ardhshëm të jetë për palestinezët viti i paqes në territoret e pushtuara. 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA