Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë edhe këtë vit me rastin e festës së Krishtlindjeve mblodhi dhjetëra besimtarë të krishterë.
Mesha solemne u mbajt të shtunën në mesnatë dhe atë e udhëhoqi Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjeregji.
Në ceremoninë e meshës solemne ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga si dhe pjesëtarë të KFOR-it.
Ipeshkvi Dodë Gjergji, duke përshëndetur të pranishmit në pesë gjuhë, shqip, anglisht, gjermanisht, italisht dhe kroatisht përcoi mesazhe të paqes tolerancës dhe dashurisë për tëgjithë besimtarët pa dallime fetare. Ai tha se e ardhmja do të jetë më e ndritur se e kaluara.
“Asnjëherë nuk duhet zvogëluar angazhimi ynë për të jetuar në paqe me të gjithë dhe për të zbatuar ligjet e vendit tonë, sidomos për të kultivuar dashurinë dhe tolerancën”, tha Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës
Duke rikujtuar se në këtë natë të shenjtë shënohet një ngjarje e rëndësishme për njerëzimin, ajo e lindjes së Krishtit, ipeshkvi Dode Gjergji tha se Krishtlindja bashkon zemrat në një dashuri të vetme dhe është festa më e gëzueshme e besimtarëve të krishterë në gjithë botën.
Gjatë ceremonisë së meshës solemne janë lexuar pjesë të zgjedhura nga Bibla, si dhe janë kënduar këngë kishtare nga “Kori i Engjëjve”.
Top Channel