Sheshi Gorki i Moskës u mbush me njerëz që dolën t’i festonin Krishtlindjet në rrugë, duke përshëndetur një bandë muzikore babagjyshësh e duke ndarë me njëri-tjetrin urimet për festën.
Moskovitët kënduan e kërcyen në dëborë, ndërsa fëmijët mbushnin listat e dhuratave të Vitit të Ri me dëshira nga më të shumëllojshmet, përfshirë njërën që shkruante: “Dua një palë syze tre dimensionale!”
Rusët e kremtojnë përvit mbërritjen e kërshëndellave në rrugë, pranë qendrës së Moskës, por kjo ishte hera e parë që festimet zhvilloheshin në sheshin Gorky.
Frika për sigurinë, e ripërtërirë nga vala e fundit e sulmeve në Bagdad, nuk i ka frenuar të krishterët irakianë nga pjesëmarrja në shërbesat kishtare. Sa për tërheqjen e trupave amerikane dhe fundin zyrtar të konfliktit në vend, shumë të krishterë thonë se amerikanët nuk bënin dallim mes tyre dhe muslimanëve, e nuk kanë ndjerë ndonjë mbrojtje të veçantë.
Një mesazh të çuditshëm Krishtlindjesh përcolli një kishë në Indonezi, e cila inkurajoi anëtarët e famullisë të riciklojnë mbeturinat e ta mbajnë ambjentin pastër e madje dha shembullin e para duke përdorur plehrat për përgatitjen e objekteve dekorative të skenës së lindjes së Krishtit.
Australianët kjo festë i gjen si përherë në breg të detit. Asgjë nuk i mungonte festimeve, as kapelet apo bluzat me figurën e Babagjyshit të Vitit të Ri dhe as ai vetë, që në mungesë të oxhakut, ka zgjedhur mënyrën më origjinale të mbërritjes që kushtet në plazhin Bondi mund të ofronin: mbi një dërrasë serfi.
Por, peisazhin e këndshëm të festimeve nëpër botë e zymtëson sulmi mbi një kishë katolike në afërsi të kryeqytetit Nigerian, Abuja. Shpërthimi shkatërroi kishën e Shën Terezës në Madalla ku besimtarët ishin mbledhur për meshën e Krishtlindjeve. Autoritetet flasin për 10 të vdekur, por raportet në media lënë të kuptohet se bilanci mund të jetë dy herë më i lartë se kaq.
Një shpërthim i dytë u regjistrua brenda një harku të shkurtër kohor në një kishë të qytetit të Xhosit.
Top Channel