Drejtuesit e komuniteteve më të mëdha fetare në Shqipëri, kanë uruar besimtarët e krishterë për Krishtlindjet.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u shpreh në mesazhin e tij: “Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi i Krishtlindjeve. Shumë gjëra të pamundura, me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashura, uroj që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive. Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur me durim dhe paqe!”
Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkv i Durrësit, Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, theksoi: “Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë të pranosh horizonte të reja të ekzistencës dhe të njohësh dritën e re të jetës. Këto horizonte dhe këtë dritë e sjell Krishti me mishërimin e tij. Uroj nga zemra Krishtlindje të gëzuara dhe një Vit të Ri plot me bekime!”
Pastori Fitor Muça, i Kishës Ungjillore të Shqipërisë, nënvizoi: “Krishtlindja le të jetë refreni i çdo dite për të cilën të gjithë kemi aq shumë nevojë.”
Top Channel