Siria, OKB dënon atentatet vetëvrasëse

24/12/2011 09:30

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar atentatet vetëvrasëse në kryeqytetin e Sirisë, Damask, ku 44 persona mbetën të vrarë dhe mbi 150 të tjerë të plagosur.

Këshilli 15-anëtarësh deklaroi se të gjitha aktet e terrorizmit janë të pajustifikueshëm, por mbeti i ndarë thellë lidhur me protestat e vazhdueshme në Siri, duke mos miratuar dot një rezolutë për cështjen.

Siria fajësoi për sulmet e së premtes Al Kaedën, por opozita tha se ato ishin përgatitur nga qeveria për të justifikuar ofensivën e saj ndaj protestuesve.

Sulmet ndodhën një ditë pasi vëzhguesit e Lidhjes Arabe mbërritën në Siri, që kanë për detyrë monitorimin nëse qeveria zbaton një marrëveshje për paqen, që parashikon tërheqjen e të gjitha trupave nga rruga, me qëllim për t’i dhënë fund dhunës.

Por aktivistët e opozitës dhe ata për të drejtat e njeriut deklaruan se vrasjet vazhduan edhe të premten, me forcat e sigurisë që qëlluan të paktën 12 civilë.

Qeveria e presidentit Bashar al Assad, nga ana e saj deklaron se po lufton kundër grupeve të armatosura kriminale që duan të marrin pushtetin me dhunë.

Mbi 5 mijë persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë burgosur që nga fillimi i protestave në muajin mars, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Të dhënat në fjalë nuk janë verifikuar për momentin, pasi gazetarëve të mediave të huaja u është ndaluar të hyjnë dhe të raportojnë nga Siria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA