Afro dy vjet debate mbi censusin dhe pyetjet e tij, duket se nuk mjaftuan për të sqaruar së paku komentatorët publikë, e aq më pak, popullatën e gjerë, se çfarë është censusi.
Censusi është numërimi i njerëzve që banojnë në një territor në një ditë të caktuar. Nuk është numërimi i atyre që nga gjaku janë shqiptarë, pasi këtë numërim Shqipëria e bën që nga viti i largët 1929 kur u krijua regjistri civil.
Kjo situatë amullie e ndezur me tone nacionaliste mbi numrin e shqiptarëve në Ballkan dhe numrin e popullatave fqinje, e ngjashme me llogaritë e kohës së feudalëve për numrin e frymëve që mund të hedhin në luftë, duket se i ka hapur rrugën edhe një teorie konspiracioni shumëplanësh mbi të interesuarit e mundshëm për uljen e numrit të popullatës.
Shumë opinionistë publikë duket se u habitën për rënien e popullatës dhe kërkuan që edhe emigrantët të shënohen në mënyrë që të dukemi më shumë.
Disa mendojnë se qeveria ka një plan për të nxjerrë përfitime propagandistike nga rënia e popullatës, si fjala vjen, të deklarojë më pak shqiptarë, rrjedhimisht më pak të papunë apo t’i deklarojë këta shqiptarë më të pasur.
Natyrisht, nuk është se ka ndonjë logjikë të fortë te besimi se qeveria do të rrëzohet, në rast se, fjala vjen, numri i të papunëve të deklaruar nuk del 142 mijë, sa deklarohet aktualisht, por del 500 mijë. Shqiptarët e papunë janë njësoj të papunë, sido që t’i numërosh.
Ky nivel jocilësor debati duket se po ia del më së miri të bëjë diçka më të keqe se sa qelbja e shijeve të publikut për debat: po rrezikohet mohimi i problemit në thelb; ky problem është që një pjesë e madhe e shqiptarëve arratisen nga vendi pasi nuk shohin asnjë shpresë.
Në vend që të merremi me shkaqet që i shtyn shqiptarët të ikin dhe të bëhen patriotë në emigrim (dhe ky është rasti më i mirë), apo më keq, të hyjnë në hullitë e krizës së identitetit duke u deklaruar grekë për arsye ekonomike, ne po merremi me faktin nëse shqiptarët janë 2.8 milionë apo më shumë.
Censusi si çdo statistikë ka defektet e veta. Ta zëmë se INSTAT nuk ka numëruar 100 mijë apo 200 mijë shqiptarë. Prapë numri i të ikurve mbetet i stërmadh. Nga ana tjetër, duke qenë se krahasimet bëhen me censusin 2001, probabiliteti i gabimit si dhjetë vite më parë, si sot, është njësoj.
Nëse INSTAT nuk është në gjendje të numërojë të gjithë shqiptarët sot, nuk ka qenë në gjendje t’i numërojë as në 2001-shin. Kur krahasohen këto dy shifra, edhe në qofshin të dyja me defekte, diferenca del njësoj: mbi 400 mijë shqiptarë ikën. Shumë prej tyre nuk do të kthehen kurrë.
Pse po arratisen shqiptarët nga vendi i tyre në numra kaq të mëdha?
Nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë mbi shkaqet e emigrimit, përgjithësisht studimet janë përqendruar mbi frytet e emigrimit, si remitancat. Ka studime që raportojnë se sa shqiptarë kthejnë para në atdhe, në cilat rajone të vendit shkojnë këto para, sa janë remitancat, si kanë ecur në kohë.
Ka shumë pak studime mbi deformimet demografike që ka shkaktuar emigrimi apo migrimi i brendshëm, më së shumti të dalluara te pema e popullatës, si p.sh. deformimi i raportit meshkuj/femra për popullatën seksualisht aktive.
Do një dekadë më parë ishin disa të huaj, të cilët u përpoqën t’i hapnin sytë shqiptarëve duke i dhënë një panoramë të aspekteve negative, si ikja e trurit.
Po me nismën e të huajve, u organizua një program për kthimin e trurit, por kurrë nuk u shtrua pyetja se çfarë i shtyn të rinjtë të ikin në numra kaq të mëdhenj.
Një i huaj, (si gjithmonë të huajt,) hodhi hipotezën se shkaku kryesor qe mungesa e tokës. Elbasani, Dibra apo Kukësi, të cilat kanë migrim/emigrim të lartë, kanë shumë pak tokë për frymë.
Një tjetër i huaj shtroi hipotezën se emigrimi është gjithashtu shkaku i rënies së lindshmërisë. Kur njerëzit emigrojnë, nuk kanë shumë mundësi të lindin fëmijë.
Dhe meqë nuk ka studime se pse shqiptarët ikin, nuk na mbetet tjetër gjë veçse të hedhim disa hipoteza:
1. Në Shqipëri nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka garanci mbi pronësinë. Nëse dikush të zë tokën, apo bën ndërtim pa leje, shqiptari i dëmtuar nuk përfiton shërbime policore, pasi kjo e fundit nuk i hyn allandrave të analizimit të dokumenteve. Personi i dëmtuar duhet të shkojë në gjykatë për të larguar zaptuesin, por ne të gjithë e dimë se si shkon puna nëpër gjykata.
2. Në Shqipëri nuk ka siguri prone dhe jetese. Nëse ke një pronë dhe dëshiron të marrësh certifikatë pronësie, ne të gjithë e dimë se duhen shumë para korrupsion dhe shumë vite përpjekje para se ta marrësh në dorë dokumentin magjik. Nëse një qytetar shkon të marrë leje ndërtimi, ka zero shanse ta marrë një të tillë. Ndërtimi pa leje në tokë të vet është një zgjedhje e pasigurt, shpesh më e pasigurt se sa ndërtimi pa leje në tokë të tjetrit. Nëse bie sëmurë, nuk ka shërbime pa pagesë. Nëse ecën në rrugë me makinë, ka gjithmonë ndonjë polic që funksionon si taksidar privat.
3. Shqipëria është një vend i qeverisur nga lobingje biznesi, të cilat kanë marrë karakteristika institucionale pavarësisht se nuk janë zgjedhur. Vetëm ndërtuesit janë në gjendje të marrin leje ndërtimi, vetëm bizneset e regjistruara si biznes i madh kanë të drejtë të importojnë, bankat duhet t’i përdorim me detyrim pavarësisht se nuk na hyjnë në punë.
Lista mund të vijojë gjatë. Drejtësia, garancia e jetës dhe e pronës dhe mbrojtja sociale janë funksionet themeltare të ekzistencës së shtetit që nga kohët e lashta. Për sa kohë këto funksione nuk garantohen për të gjithë popullatën në të gjithë vendin, shqiptarët do të vijojnë të ikin. Dhe asgjë nuk mund t’i mbajë.
Nga Gjergj Erebara
Top Channel