Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci ka deklaruar se objektivi
kryesor i qeverisë kosovare vitin e ardhshëm do të jetë mbyllja e
procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.

Në një konferencë për shtyp ku ka paraqitur punën e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2011, Kuci ka saktësuar se prioriteti i dytë do të jetë plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave.

Më pas, sipas tij, do të vijnë plotësimi i kërkesave të tjera që dalin nga marrëdhëniet me BE-në, si raportet tregtare dhe anëtarësimi i vendit në BERZH.

Sa për veriun, Kuci ka shprehur bindjen e tij se vitin e ardhshëm autoriteti i Prishtinës zyrtare do të shtrihet në të gjithë territorin dhe në zonën problematike të Kosovës do të kthehet normaliteti.

“Sa për angazhimet në veri, ne presim të veprojmë në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in. Presim që atje të ketë respektim të tërësisë territoriale, sovranitetit dhe funksionalizim të institucioneve tona”, ka deklaruar Kuci.

Por për të arritur këtë objektiv, qeveria kosovare duket se do ta ketë të vështirë, pasi zyrtarët serbë janë shprehur disa herë kundër shpërbërjes së strukturave paralele.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic deklaroi disa ditë më parë se Serbia nuk do t’i eliminojë kurrë strukturat e saj paralele.

Ndërsa sekretari shtetëror i kësaj ministrie, Oliver Ivanovic propozoi legalizimin e strukturave kriminale, me argumentin se Serbia e ka të nevojshme që të ketë institucionet e saj në Kosovë.

Ndërkohë, situata në veri mbetet po e njëjtë, me barrikadat të palëvizura dhe me banorët serbë që i mbikëqyrin ato 24 orë në 24.

Tre ditë më parë, një grup ekstremistësh serbë penguan kalimin e një autokolone të KFOR-it dhe misionit EULEX në fshatin Zupc, duke e detyruar të kthehet pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA