Kim Jong un, “komandanti suprem”

24/12/2011 09:55

Gazeta e partisë komuniste në Korenë e Veriut e ka etiketuar liderin e ri të vendit, Kim Jong un si “komandantin suprem” të ushtrisë.

Në këtë mënyrë, gazeta ka konfirmuar përforcimin e pushtetit të pasardhësit të Kim Jong il, që ndërroi jetë një javë më parë për shkak të një ataku në zemër.

“Do ta ngremë shokun Kim Jong un në rangun e komandantit suprem dhe gjeneralit dhe do të kompletojmë revolucionin” thuhet në editorialin e “Rodong Sinmun”, organi zyrtar i shtypit i pushtetit të Penianit.

Kim Jong il u nda nga jeta të shtunën e kaluar, në moshën 69-vjecare. Për të u mbajtën homazhe masive, me koreanët, të rritur e të mitur, që vajtuan dhe vazhdojnë të vajtojnë për të.

Pavarësisht se “lideri i dashur” kishte njoftuar para vdekjes kalimin e pushtetit tek i biri, në fuqinë bërthamore aziatike e ardhmja është ende e paqartë.

Shqetësimet burojnë nga fakti që Kim Jong un, që ende nuk i ka arritur të 30-at, mund t’i mungojë aftësia politike për të mbajtur frerët e drejtimit të vendit.

Po kështu, nuk përjashtohet mundësia e një lufte të brendshme për pushtet mes pjesëtarëve të tjerë të familjes apo elitës ushtarake.

Më herët gjatë javës Uashingtoni i lëshoi Penianit një apel, duke i kërkuar që të ndjekë rrugën e paqes pas kësaj vdekjeje të papritur.

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton tha, se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë popullin koreano-verior e të krijojnë një siguri afatgjatë në gadishullin aziatik.

Ndërsa vendet në mbarë rajonin zhvilluan bisedime urgjente për të parë se cilat mund të jenë pasojat e vdekjes së Kim Jong il.

Ditën e enjte, zyrtarë të Koresë së Jugut deklaruan se Seuli po përpiqet të mos shfaqë armiqësi ndaj Penianit, duke nënvizuar se kthimi i stabilitetit në vendin komunist është në interes të Azisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA