Tsunami, vajza gjen të ëmën pas 7 vjetësh

23/12/2011 18:40

Një vajzë indoneziane, e prekur nga tsunami i vitit 2004, është bashkuar sërish me familjen pas shtatë vjetësh.

Meri Yulanda u shfaq në një kafene në Meulaboj, në Aceh, duke mbajtur mmend vetëm emrin e gjyshit të saj, Ibrahim. Dikush tek kafeneja e njihte personin në fjalë dhe e kontaktoi.

Meri thotë se ajo është rrahur dhe detyruar të punojë si lypëse para se të lirohej nga tutorët e saj javën e kaluar. “Kur pash mamanë time, e dija që ishte ajo. Thjesht e dija”, tregon vogëlushja.

Ndërsa e ëma kishte humbur cdo shpresë për ta parë sërish të bijën. “Një shenjë që nga lindja që ajo ka në barkun e saj dhe një shenjë tjetër e vogël në fytyrë provuan se vajza e vogël ishte e imja”, është shprehur e ëma, Yusnidar, për agjencinë e lajmeve “AFP”.

“Nuk mund t’ju them dot me fjalë se sa e gëzuar jam”, ka thënë më tej gruaja 35-vjecare, e cila u nda me Meri-n kur tsunami i fuqishëm goditi fshatin Ujong Baroh në brigjet e Acehut.

Tsunami vrau rreth 168 mijë persona vetëm në rajonin e Acehut, ndërkohë që totali i viktimave u llogarit të ishte rreth 230 mijë persona.

Gjithashtu, dhjetra mijëra trupa të tjerë nuk janë gjetur më dhe shumë familje nuk e kanë zbuluar kurrë se cfarë u ka ndodhur të dashurve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA