Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të premten, ka vendosur të shfuqizojë rregullat që pengonin afrimin e gazetarëve në selinë e Kuvendit dhe në punimet e tij.
Megjithatë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka këmbëngulur se Rregullorja për qëndrimin e mediave në Kuvend është shumë e mirë, por sipas tij, ajo është keqkuptuar.
Krasniqi ka sqaruar se rregullorja nuk ndalon qasjen e mediave, të publikut dhe të shoqërisë civile në Kuvend, dhe se ajo nuk ka qenë lëndë e komisioneve dhe organeve të tjera, përveçse e kryesisë dhe administratës.
Lidhur me lajmin ka reaguar ditur Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, i cili përmes një deklarate për shtyp ka përshëndetur vendimin e kryesisë parlamentare.
“Vendimi u mundëson gazetarëve të kryejnë me dinjitet punën e tyre në ndërtesën e Kuvendit. Për këtë motiv, shoqata ka vendosur të shfuqizojë thirrjen për bojkot të punës së Kuvendit nga gazetarët”, thuhet në deklaratë.
AGKP ka shprehur bindjen se në këtë mënyrë, reporterët do të respektohen nga institucioni më i lartë i vendit dhe se nuk do të ketë më raste kur ata do të keqtrajtohen.
Por pavarësisht këtij lajmi të mirë, mediat në Kosovë po përballen me një problem edhe më të vështirë, ndryshimet që parashikon në sektorin mediatik Kodi Penal.
Pronarët dhe kryeredaktorët e mediave të shkruara dhe elektronike shprehën dyshimin se ndryshimet në fjalë do të penalizojnë lirinë e medias në shtetin e ri.
“Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara në kod, qeveritarët pretendojnë të kontrollojnë cdo informacion që del në opinionin publik dhe njëkohësisht të shantazhojnë gazetarët dhe mediat kritike ndaj qeverisë”, shkruante e përditshmja “Zëri” në numrin e së premtes.
Janë dy nenet e reja që ngjallin debat, konkretisht neni 37 dhe 38, të cilët flasin për përgjegjësinë penale të kryeredaktorëve, botuesve, ose prodhuesve për mbrojtjen e burimit të informacionit.
Sipas botuesve dhe kryeredaktorëve, nëse një ligj i tillë do të miratohet, në Kosovë do të rikthehet censura mbi mediat, për herë të parë që në kohën e ish-Jugosllavisë.
“Nëse këto ndryshime nuk do të anulohen, atëhëre liria e shtypit kosovar do të rreshtë së ekzistuari”, u shpreh për gazetën “Zëri” avokati i njohur kosovar Tom Gashi.
Top Channel