Ishujt Falkland, Cameron i përgjigjet Argjentinës

23/12/2011 15:40

Pak ditë pas deklaratës së presidentes argjentinase, Christine Fernandez, e cila gjatë një samiti të vendeve të Amerikës Latine akuzoi Britaninë e Madhe se nuk po respektonte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për dialog me Argjentinën në lidhje me sovranitetin e Ishujve Falkland (të quajtura nga Argjentina, Malvinas), kryeministri britanik, David Cameron në një letër dërguar banorëve të këtyre ishujve me rastin e Krishtlindjeve, u premton atyre mbështetjen e vendit të tij.

“Ne nuk do të ulemi kurrë në një tryezë ku do të diskutohet sovraniteti juaj. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Ju, populli i Ishujve Falkland e dëshironi një gjë të tillë. Kjo është e vetmja rrugë demokratike që ne do të ndjekim”, thuhet në letrën e Cameron për banorët e Ishujve Falkland.

Megjithatë, në letrën e tij, kryeministri britanik vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës duke u shprehur se, pavarësisht ndasisë lidhur me sovranitetin e Ishujve Falkland, marrëdhëniet e mira mes Britanisë dhe Argjentinës është në të mirë të të dy popujve.

Presidentja Argjentinase, Fernandez, gjatë fjalimit të saj në një samit të vendeve të Amerikës Latine, mbajtur pak ditë më parë, u shpreh për një “betejë të përjetëshme” të Argjentinës për Ishujt Falkland. Ajo madje akuzoi Londrën se është e gatshme të bëjë luftë me cilindo shtet sovran për të shfrytëzuar burimet natyrore të tij.

Ishujt Falkland ndodhen nën kontrollin e “Kurorës” që prej vitit 1830. Në vitin 1982 për sovranitetin e këtyre ishujve u zhvillua edhe një luftë e shkurtër, por e përgjakshme mes Argjentinës dhe Anglisë. Argjentina ndërhyri ushtarakisht duke marrë kontrollin e ishujve, kontroll të cilin do të mbante jo më shumë se 2 muaj, pasi Britania e Madhe, e udhëhequr në atë kohë nga kryeministrja Margaret Thatcher, dërgoi flotën detare e ajrore dhe forca të tjera këmbësorie duke rimarrë ishujt. Që pas kësaj lufte marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ftohta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA