Korrupsioni në gjyqësor ka intriguar Grupin e Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit. I njohur nën siglën GRECO, ky organ i Strasburgut do të nisë nga janari i vitit të ardhshëm një raund të ri vlerësimi ndaj Shqipërisë, për të dhënë në fund dhe rekomandimet përkatëse për zbatimin në praktikë të luftës ndaj korrupsionit në gjyqësor.
Drago Kos, President i GRECO: Praktika tregon se është e lehtë të ndryshosh ligje dhe të ngresh institucione të reja, por ajo çfarë është më e vështirë për t’u arritur është që t’i zbatosh ato në terren. Shqipëria nuk është shembull këtu. Shqipëria ka probleme serioze me zbatimin e legjislacionit të ri. Është pikërisht kjo arsyeja pse GRECO, duke filluar që nga janari i vitit të ardhshëm, nis një raund të ri për t’u marrë me korrupsionin në gjyqësor. E më pas, ne shpresojmë që pas këtij raundi, legjislacioni dhe institucionet e reja të prodhojnë rezultatet e para për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të mundshme.
“T’i vësh politikanët përballë drejtësisë, nevojitet vullnet politik i vërtetë”, sipas Presidentit të GRECO-s. Në këtë kuadër, ai vlerëson akuzën shqiptare, kur ajo ka mundur të paktën t’i çojë ministrat përballë gjykatës, por Drago Kos thotë se vendi duhet të bëj dhe një hap shtesë, për dënimin e tyre nga gjykata.
Drago Kos, Presidenti i GRECO: Mund të konsideroheni me fat që ata të paktën janë akuzuar, janë ndjekur, janë hetuar, pasi ka shumë vende të rajonit që as nuk do të guxonin të dërgonin në gjyq një politikan të lartë.
Kjo tregon se sistemi në Shqipëri funksionon të paktën në nivelin e hetimit, dhe tashmë ju duhet vetëm të bëni edhe një hap shtesë. Ndërkohë që vende të tjera duhet të bëjnë shumë më tepër hapa. Por, nuk duhet të kënaqeni me kaq. Ju duhet të kënaqeni kur ata të përfundojnë në gjyq dhe kur sigurisht gjykata do bëjë punën e saj. Unë dua t’ju them që Shqipëria nuk është vendi më i keq në rajon, pasi po ecën drejt një proçesi sikundër dhe vendet e tjera të rajonit dhe gjatë këtij proçesi është tepër e vështirë të vendosësh politikanët përballë një gjykate, nëse aty nuk ezkiston vullneti i vërtetë politik.
GRECO ka dorëzuar deri tani 3 raporte me rekomandime ndaj Shqipërisë, në 2002, 2004 dhe 2009. Rekomandimet e fundit kishin të bënin me financimin e partive politike dhe akuzën, por raporti i progresit të Komisionit Europian, publikuar në tetor 2011, vërente se këto rekomandime të GRECO-s nuk ishin plotësuar ende tërësisht nga vendi.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel