Një grup ekstremistësh serbë në veri të Kosovës ka penguar mbrëmjen e së
mërkurës kalimin e një autokolone të KFOR-it dhe misionit EULEX.

Sipas raportimeve të “RTK”, ekstremistët në fshatin Zupc i kanë hapur rrugën makinave të KFOR-it, ndërkohë që kanë refuzuar të lejojnë ato të misionit evropian për rendin dhe ligjin.

Ushtarët e KFOR-it nuk e kanë pranuar një ofertë të tillë dhe për rrjedhojë të gjitha makinat janë kthyer mbrapsht në drejtim të Mitrovicës.

Ndërsa në fshatin Jagenicë, sipas mediave serbe, pjesëtarët e KFOR-it kanë kontrolluar të gjitha automjetet që kalonin nga Zvecani për në Zubin Potok dhe anasjelltas.

Gjendja në veri të Kosovës mbetet e pandryshuar, me barrikadat që vazhdojnë të jenë të pranishme në disa zona dhe banorët serbë që i mbikëqyrin ato 24 orë në 24.

Mbrëmjen e së martës policia serbe arrestoi biznesmenin serb Zvonko Veselinovic, i akuzuar nga KFOR-i si organizator i protestave të serbëve dhe si furnizues i tyre me armë dhe eksploziv.

Ai u arrestua në territorin e Kopaonikut nën akuzën e drejtimit të aferave kriminale dhe autoritetet i dhanë masën e sigurisë 48 orë burg, që do të skadojë së shpejti.

Dy ditë më parë, shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri deklaroi se në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, strukturat paralele do të largoheshin, por deri tani nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Ndërsa dy ditë më parë, mbrëmjen e së martës, dy grupe serbe prej 60 personash u përfshinë në një rrahje masive në veri të qytetit të Mitrovicës, ku si pasojë ka pasur të plagosur dhe dëme materiale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA