Vaclav Havel- shenja që u shua

22/12/2011 00:00

Monika Shoshori Stafa – Në pranverën e vitit të kaluar, së bashku me regjisorin P. Milkani, kam
pasur fatin të takoj të ndjerin Vaclav Havel, njeriun që shqiptarët ia
kanë nyjëtuar emrin pothuaj gjithnjë në mënyrë dëshirore, shpesh të
paraprirë me një “Ah!” prej dhimbjeje, siç thuhet gjithnjë për të
munguarën.

Ambasador i Shqipërisë në Pragë për disa vite, mjeshtri Milkani kishte njohje vetjake me Havelin dhe kjo e lehtësoi disi punën për bërjen e një dokumentari, megjithëse jo dhe aq lehtë. Havel ishte vazhdimisht i zënë me punë dhe me shëndet të rënduar. Gati një vit pritje u shpërblye me një bashkëbisedim të gjatë në ateljenë e tij të punës si shkrimtar. Si shkrimtar dhe si njeri i veprimit publik, sepse gjatë kohës që realizohej bashkëbisedimi, disa herë hynë e dolën përfaqësues të autoriteteve qeverisëse, të cilët kërkonin mendim e këshilla prej tij.

Havel na priti me përshëndetjet e zakonshme të njerëzve që kanë njohje të prejkohshme me njëri-tjetrin. Ishte një njeri i qetë dhe fjalëpakë, i mirësjellë si një zotëri i vërtetë, origjinal e befasues në përgjigjet e veta. Dukej shumë qartë se mushkëria e sëmurë ia vështirësonte frymëmarrjen dhe kjo na vinte në mundim edhe neve, që duhej ta çonim deri në fund bashkëbisedimin, duke e ditur se cila ishte gjendja e tij. Havel kishte një njohje për shqiptarët jo thjesht si një çek që kishte qenë në krye të shtetit, as vetëm si shkrimtar. Ai mund të fliste për Shqipërinë në mënyrë njerëzore.

Në fundin e viteve 1990, kur studentët dhe rinia shqiptare pushtuan sheshet me thirrjet për ndërrimin e sistemit politik, dy prej kërkesave të tyre parësore qenë: botimi i “Aktit Final të Helsinkit” dhe i “Kartës 77”. Në të ardhmen e menjëhershme që do të pasonte, në gojët e shqiptarëve do të përsëritej shumë shpesh me admirim dhe me dhimbje njëherësh emri i themeluesit të Kartës së Pragës: “Sikur të kishim pasur dhe ne një Havel!” Ai ishte njeriu që kishte shpëtuar popullin e vet me një revolucion të çuditshëm, me një “revolucion të kadifenjtë”. Çekë e sllovakë u ndanë me të kaluarën brenda një nate, duke trokitur gotat e shampanjës. Vaclav Havel, dramaturg, mendimtar i lirë, i dënuar për idetë e tij nga pushteti bolshevik, do të shfaqej në jetën publike si protagonisti i së ardhmes, pa u druajtur aspak të përqafohej me kreun e ish-komunistëve Dubçek. Dhe po ashtu, brenda një nate, çekë e sllovakë do të vendosnin të ndaheshin në dy shtete, duke shkrehur në ajër jo krisma automatikësh, por fishekzjarrë festive. Pikërisht duke kapërcyer pragun e rezidencës së tij modeste në Pragë, të kujtohet se disidenti-president me emrin Vaclav Havel ishte lindur në një familje pasanike në Barandov, që shteti bolshevik e bëri pronë të vetën dhe ndërtoi atje studion e vetme kinematografike çeke. Por vetë Haveli, kur ia kthyen si pasuri të trashëgueshme, ia dhuroi kulturës së popullit të vet. E ndërkaq, të kalojnë para syve listat e bujshme të shtypit shqiptar, me dëmshpërblimet karikatureske të shtetit ndaj të shpronësuarve jo si Vaclav Havel, por kulakë për 10 hektarë tokë apo një punishte ëmbëlsirash. Dhe s’të del dot nga goja pyetja; pse dhe shqiptarët nuk e bëjnë gjestin e tij, sepse ata nuk i kanë fituar ende të drejtat e pronës. Si mund të dhurosh kur prona është e tjetërkujt, si mund të presësh fundin e tranzicionit, kur rrëmuja shqiptare me emrin demokraci, mbi të gjitha shprehet në përçmimin zyrtar të së drejtës së dytë ekzistenciale pas së drejtës për të jetuar, të drejtës për pronë dhe trashëgimi?

Këto mendime “In memoriam për Havelin” të vijnë ndërmend jo vetëm pse një shkrimtar i mirënjohur dhe një çek mik u nda kësaj jete, por edhe sepse emri i tij evokohet në Shqipëri sa herë që hapet diskutimi për disidencën. Dhe muaji dhjetor është muaji më i tejmbushur me debate për disidencën shqiptare. Për të thënë të vërtetën, ky diskutim hapet shumë shpesh, përditë, dhe thuajse gjithnjë gabimisht njësohet vetëm me kundërshtarët dhe kundërshtimin e sistemit politik komunist, megjithëse disidenca është e lashtë sa njerëzimi vetë. A nuk iu kërkua Sokratit të zgjidhte midis largimit nga Greqia ose pranimit të vendimit të gjyqit? A nuk u deportua në Dacia (Daki) njësoj si në Gulag-un sovjetik poeti antik romak Ovidi? A nuk ishte ostracizëm dhe deportim edhe dëbimi i Shën Gjon Gojartit nga Kostandinopopja dhe ngujimi i tij në thellësitë e Epirit alpin? A nuk ishin disidentë epokalë dijetarët e Rilindjes Europiane, që përfunduan në turrën e druve; Martin Luteri dhe Kalvini, dhe shumë të tjerë që morën ndëshkime fatale për shkak të ideve të veta? E gjithë historia e mendimit njerëzor ka kaluar në këtë rrugë të gjatë, në rrugën e disidencës, të ostracizmit shtetëror, të deportimit dhe internimit, dhe Vaclav Havel është një model bashkëkohor i saj.

Historia e Shqipërisë në dy dekadat e fundme është mbushur me disidentë. Ka aq shumë disidentë, saqë vetvetiu të lind pyetja: si mundi të qëndrojë më këmbë pushteti totalitar për një gjysmë shekulli nëse kishte kaq shumë kundërshtarë? Jeta dhe mendimi i Vaclav Havelit mund të na japë një përgjigje për të na bërë të vërtetë. Për të kuptuar se disidencë pa disidentë nuk mund të ketë. Për të kuptuar se nëse Vaclav Havelit do t’i kishte munguar “Karta 77” dhe “Kartës 77” do t’i kishte munguar protagonisti i vet, edhe në Çeki do të kishte pasur mospajtime me sistemin, por jo disidencë. Havel dhe “Karta 77” janë dy emra të pandarë. Dhe pikërisht kjo e bën disidencën çeke një lëvizje mendimi.

Gjatë kohës që qëndruam në Pragë kemi mundur të njihemi me atë pjesë të historisë së mendimit çek që hapur qe shprehur kundër bolshevizmit. Nuk është vetëm “Karta 77” dhe Haveli. Qysh në vitin 1978, çdo muaj, ndonjëherë dhe çdo dy javë, “Karta 77” kishte buletinin e vet, samizdat, vetëbotim, shtypin e fshehtë, libri prohibiti, mendimin ndryshe, rrugën e alternativës. Duke u njohur me këtë buletin, njeriut i lind pyetja nëse ishte Vaclav Havel që krijoi në Çekosllovakinë komuniste fenomenin e disidencës, apo ishin mijëra e mijëra mbështetës publikë të tij, që shkruanin në revistën samizdat “Infotech Charte 77”? Dukuria i ka të dyja anët e monedhës, dhe pikërisht kjo e bën atë një model.

Një ndryshim i madh ekziston midis së quajturës disidencë shqiptare, të shprehur në letërsi të sirtarëve, dhe disidencës programatike, si në “Kartën 77” dhe tribunën e përmuajshme të saj. Idetë e shpallura shënjojnë rrezikun e shpallur, idetë e pashpallura janë të parealizuara. Ndërsa shfleton buletinin “Informace o Charte 77”, pyetja se çfarë ndodhte në Shqipëri në të njëjtën kohë kur çekët nënshkruanin pa hezitim pajtimin me rrugën ndryshe që ofronte mendimtari V. Havel bëhet e pashmangshme. Mendja të vete tek pranvera e Pragës, që u shtyp me tanket sovjetike më 1972; mendja të vete tek pranvera e vogël shqiptare e të njëjtit vit, që u dëshmua në një festival kombëtar të këngës së re. Dhe pastaj krahasimi është i pamundur. Ndërsa në Pragë, një djalë i ri me emrin Ian Palach digjte veten në shenjë proteste kundër pajtimit të qeverisë së vendit me pushtimin e huaj, në Shqipëri vërshonin pa mbarim letra të pafundme të popullit vigjilent, që denonconte ndikimin borgjez dhe revizionist në kulturë dhe arte. Gazeta e rinisë dhe ajo e shkrimtarëve u bënë zëdhënëset më të zellshme të konformizmit. Studentët hoqën dorë nga bursa, ndërsa shkrimtarët hoqën dorë nga honoraret. Një lëvizje mendimi shpërtheu, por jo për të kërkuar rrugën ndryshe. Për të mbështetur autoritetin totalitar. Në vitin 1978, kur në Çekosllovaki intelektualët i dhanë mendimit të tyre karakterin e një programi, manifesti, të njohur me emrin “Karta 77”; ku kontestohej hapur epërsia e sistemit, denoncohej kufizimi i lirisë së mendimit dhe përfytyrohej një rrugë tjetër zhvillimi për vendin, në Shqipëri vetëm udhëheqjes së lartë politike partiake i dërgoheshin mbi 1000 letra solidariteti në muaj, mbi 12 000 letra solidariteti në vit: letra të vigjilencës ideologjike, të denoncimit të armikut të klasës, të ruajtjes së pastërtisë ideologjike. Ky vullnetarizëm i paparë, që dëshmohet në koleksione të pafundmë letrash nga populli, që nuk janë studiuar kurrë, është dëshmia më kryefortë e kontrastit midis veprimit intelektual në Shqipëri dhe veprimit intelektual në Çeki. Shumë e qartë përgjigjja përciptë e njerëzve dikur dhe sidomos sot: një krahasim i tillë nuk mund të bëhet, sepse regjimi në Shqipëri ishte shumë më restriktiv se në Çeki. Dhe kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Gjysma tjetër dhe më e rëndësishme, është se intelektualëve shqiptarë, edhe kur u erdhi ndonjë çast përndritjeje, në vend që të solidarizoheshin me njëri-tjetrin, e vunë veten në shërbim të politikës shtetërore për të demaskuar njëri-tjetrin. Me të gjitha mënyrat: duke shkruar në shtyp kundër risive, duke denoncuar me letra vullnetare prishjen e kanoneve të realizmit socialist, duke bërë ekspertiza zyrtare mbi bazën e të cilave njerëzit dënoheshin me vdekje, me pushkatim; duke satirizuar njëri-tjetrin në vepra letrare. Ky nuk është një kriticizëm nënçmues, siç ndodh shpesh me njerëz të zellshëm për ta paraqitur Shqipërinë gjithnjë si vendin e së keqes më të madhe në botë. Kjo është ajo pjesë e së vërtetës që jeta e Vaclav Havelit dhe mendimi i “Kartës 77” na e zbulon, për efekt të kontrastit. Megjithatë, me modestinë e njeriut që e di vendin e vet në histori, Havel na thotë: “Mendoj se në teatër, në film dhe në letërsi është profesioni im i parë. Në politikë, më çoi fati dhe tani ja ku jam sërish aty ku isha. Natyrisht, disa detyrime qytetare përsëri i kam. Janë shërbime që do t’ia bëja me kënaqësi popullit tim gjithnjë. Por unë nuk jam politikan profesionist”.

Shqiptarët kanë detyrimin t’i jenë mirënjohës V. Havelit, jo vetëm pse u dha modelin e projektuar në ëndrrat e tyre, por mbi të gjitha, sepse është i pari kryetar shteti që vizitoi Kosovën ende pa u çminuar, pa u demoluar armatimi.

“E vizitova Kosovën në kohë të vështirë dhe e kam të gjallë në kujtesë vargun e pafund të atyre që ishin dëbuar dhe që tashmë po ktheheshin në vendin e tyre me karroca dhe mjete të tjera, – na tregon Havel. – Në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që brenda një viti, gjysmë milioni njerëz të dëbuar të kishin mundësi të riktheheshin. Shumë nga të rikthyerit më flisnin në emër, dhe aty e kuptova se ata e dinin kush isha unë, më njihnin që isha unë. E di që kam vuajtur shumë shpirtërisht duke parë atë që kish ndodhur, por që të kem derdhur lot nuk më kujtohet”.

A mund të kishim pasur dhe ne një Havel? Nuk mjafton shkrimtari, nuk mjafton protagonisti, nuk mjafton individi. Përveç shkrimtarit, njeriut të ideve, duhet edhe qytetari, obçan Havel, njeriu Havel, që shqipton ide dhe dënohet për to; që projekton ndryshimin dhe nuk pendohet për këtë; që rrezikon veten dhe të tjerët janë gati të rrezikojnë për të. Havel është një emblemë për botën që shkoi dhe për botën që zgjodhi rinia, ndër të tjera edhe rinia europiane. Nga disident në president dhe nga president në qytetar, obçan, kjo është rruga më e natyrshme e një njeriu të lidhur me fatet e popullit të vet. Ishte kjo disidencë që e bëri Çekosllovakinë vendin e revolucionit të kadifenjtë. Në këtë revolucion kishte shumë pak urrejtje, aq pak sa Vaclav Havel mund të përqafohej miqësisht me kreun e bolshevizmit të Pragës, Dubçek, mund të trokiste dhe gotën e shampanjës me të, ashtu si mund të përqafohej me ‘Rolling Stones’ dhe me Horovitch apo Malcowitch. Vaclav Havel e zbuti vërtet regjimin totalitar në Çeki: e zbuti me artin e vet, e zbuti me flijimin e vet, e zbuti me qytetarinë e vet, e zbuti me paqen e vet. Et pluribus unum! Ky slogan i mirënjohur i demokracisë amerikane gjeti shprehjen më të plotë në lidhjen e tij me “Kartën 77”, e cila, për paradoks, në Shqipëri u botua për herë të parë në një revistë të së majtës, pikërisht në vitin e ndryshimit të madh! Një dhe shumë, shumë në një! Kështu mund të quhej lidhja e Vaclav Havelit me disidencën çeke: qindra nënshkrues rrezikuan bashkë me të jetën dhe qetësinë, sepse besonin në një ndryshim. Dhe në këtë pikë, pyetja dramatike dhe shpesh dëshpëruese e rinisë shqiptare, si nuk patëm dhe ne një Havel, kthehet thjesht në një pyetje retorike. Por një pyetje edhe më dramatike nxitet prej jetës, mendimit dhe veprimit të Vaclav Havelit: a ka pasur ndonjëherë lëvizje mendimi në jetën e shqiptarëve? Shumë e vështirë për ta konfirmuar. Shqiptarët ndërrojnë mendim shumë ngadalë, sepse durojnë shumë. Shqiptarët preferojnë më shumë veprimin se mendimin. Në dy dekadat e fundme, ndoshta çasti i vetëm i vënies në veprim të mendjes për atë që pritej të ndodhte ishte koha e refleksioneve. Ishte pikërisht koha kur shtypi më inkurajues dhe më radikal i ndryshimit politik në Shqipëri, shtypi amerikan, bënte thirrje: ”Revolucioni mbaroi, tani t’i kthehemi punës”. Por shqiptarët janë mësuar të pajtohen me realitetin dhe të zgjohen me mllef. Ata nënshkruajnë lehtësisht dhe me zell të patreguar thirrjet konformiste, gjithnjë kah shkon i pari i tyre, sipas shprehjes së britanikut Bajron. Intelektualët shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve i shërbyen totalitarizmit, shpesh edhe vullnetarisht, nuk do të guxonin jo të fotografoheshin përqafuar apo të trokëllinin gotën e shampanjës me një lider të së shkuarës, por as të pohonin një njohje vetjake me ta. Ja, ky është Vaclav Havel, njeriu i qetë, i menduar, qytetar, veprues, disident, i dënuar, kryetar shteti, dramaturg, një pikëpyetje e madhe për historinë e mendimit në Shqipëri e në shumë vende të tjera të Lindjes. Jo një “vox clamantis in deserto”, sipas shprehjes së Shën Gjon Pagëzorit. Një zë që gjeti si përgjigje jo heshtjen e shkretëtirës, por zgjimin qytetar popullor. Ai nuk rrezikohet nga depersonalizimi, sepse në kohën e duhur bëri atë që duhej, dhe zëri i tij gjeti konvergjencë popullore.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB