Ramiz Alia, Kim Jong-Il, Sabri Godo, Muammar Gaddafi, Leka Zogu I, Vaclav Havel, Nina Mula kanë të gjithë diçka të përbashkët… u ndanë nga jeta në vitin 2011.
”Top Story”, nën drejtimin e Sokol Ballës dhe me një panel ku merrnin pjesë historiani dhe diplomati Pëllumb Xhufi, diplomati Dritan Hila, antari i Partisë së Legalitetit dhe përfaqësuesi i oborrit mbretëror, Murat Basha dhe diplomati e rektori i Universitetit Ndërkombëtar, u përqendruan tek vlerësimi dhe polemikat që shkaktuan me ndarjen e tyre nga jeta personazhet kryesore të vitit.
Ramiz Alia, sekretar i parë dhe presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, vendosi “në siklet” protokollin e shtetit, i cili nuk dinte se çfarë varrimi t’i bënte. i njëjti protokoll, nuk pati asnjë vështirësi për të shpallur nderimet më të mëdha për Leka Zogun e Parë, ndërsa mbi Sabri Godon, qëndrimet e politikës ishin konsensuale. Pikërisht, në mënyrë se si i interpretoi politika këto vdekje, u përqendrua i pari Lisien Bashkurti.
”Ne kemi një problem, që nuk bëjmë dot vlerësimet e duhura. ”Kemi vuajtur dhe vazhdojmë të vuajmë nga dy fenomene të dëmshme për politikën dhe shkencën. Politizimi i historisë, është një dukuri e vjetër që rishfaqet herë pas here. Personazhet e shkuara përdoren për konjuktura dhe interesa momentale. Për të ardhur keq është edhe historizimi i politikës, por edhe i shkencës. Shoh me shqetësim dukurinë që personazhet aktive tentojnë të futen në histori që në gjalljen e vet, të emblemizohen, të kërkojnë me çdo kusht të bëhen ikona historike pa kryer detyrimet e tyre politike, nëpërmjet përsëritjes së retorikave për “arritje madhore historike” apo vepra kolosale”.
Nga ana e tij, Pëllumb Xhufi e vendosi theksin tek “instrumentalizimi i vdekjes”, “që vjen nga që personazhet e politikës sonë nuk janë të lirë. Këtu ka një mungesë lirie për të thënë atë që mendohet. Zoti Berisha, tha përpara disa ditësh që të paktën Alia nuk i çoi tanket tek studentët. Por, në të gjallë çfarë nuk ka thënë për të dhe ngriti për së dyti një Komision Parlamentar për ta futur prapë në burg. Këtu kemi një qëndrim të ulët. Haveli, i cili edhe ai sapo është ndarë nga jeta, ka thënë se politika bëhet inxhinjeri e intrigës”.
Murat Basha, përfaqësuesi i oborrit, ishte ai që ngjalli një debat në studio, duke mbajtur një qëndrim disi konfliktual. “Thonë se për të vdekurit duhet të flasësh mirë ose të mos flasësh fare. Megjithatë, problemi kryesor është që në Shqipëri nuk janë mbyllur hesapet me të kaluarën, nuk është dënuar komunizmi si sistem, nuk është dënuar Enver Hoxha si antishqiptari më i madh. Unë jam për respektimin e historisë së shtetit shqiptar, i vazhdimësisë juridike, por si mund ta respektoj unë Ramiz Alinë, kur unë kam qenë prezent kur vajzën e Liri Belishovës e çuan ta varrosnin me një arkë. Kur vdiq Hoxha, shokë e miq të mi kanë qenë fajtor pa faj dhe në kohën e Zotit Alia, të cilit besoj se po i digjet shpirti në ferr, janë internetuar e vrarë njerëz. Në kohën e tij janë vrarë njerëz, janë internuar, prandaj unë nuk mund ta nderoj, pasi kështu do të fyeja kujtimin e tyre”.
Një qëndrim i tillë ngjalli reagimin e Xhufit dhe Hilës. “Alia vdiq si i pafajshëm për krimet që kreu nga shteti shqiptar dhe deri në vdekjen e tij, 20 vjet ishin të mjaftueshëm për ta dënuar. Nuk mohon njeri njollat, por kur erdhi fundi, ai e la pushtetin qetësisht, ndërsa të tjerë mund të kishin bërë gjëmën. Kur Leka Zogu që s’ka qenë asgjë në shtetin shqiptar, pati ato nderime, edhe Alia e meritonte të paktën të varrosej me flamur. Është e rëndësishme që të dimë të respektojmë institucionet dhe Alia ishte një President i shtetit shqiptar”, deklaroi Xhufi.
Nga ana e tij, diplomati Hila shtoi: “Historia nuk mund të nisë nga komunizmi, pasi edhe monarkia e sistemet e tjera kanë mëkatet e tyre. Duhet të analizojmë çka ndodhur nga viti 1912. Unë s’jam historian profesionist, por duhet të flasim jashtë emocioneve njerëzore. Faktikisht, historia nuk mund të gjykohet nga një brez që e ka jetuar atë. Duher të kalojë pak kohë. Prandaj, unë mendoj se vdekja e Lekës dhe Alisë përbën fundin e një simboli. Leka nuk arriti të bëhej një burrë shteti, nuk ishte i zoti të luftonte në terrenin e përbalur të politikës shqiptare, prandaj la si simbol vetëm monarkinë, të cilën ka dashur ta bëjë gjithmonë si një pikë referimi dhe uniteti për të gjithë shqiptarët. Këtë amanet duhet t’i ketë lënë edhe djalit, i cili është duke ruajtur një profil të ulët. Ramiz Alia është ndër të fundit e një brezi një brezi të fortësh, të cilët kanë lëvizur masa të mëdha njerëzish. Flas për komunizmin, pasi ai ishte një simbol i tij”.
Në vijim të fjalës së tij në Top Story, anëtari i Partisë së Legalitetit, Murat Basha sqaroi rrjedhën e ngjarjeve të 3 korrikut të vitit 1997, ku Leka Zogu, me veshje ushtarake u shfaq para KQZ-së së atëhershme me pistoletë në brez.
“Me veshjen si ushtarak në datën 3 korrik të 1997-s, Leka desh të tregonte atë ditë ishtë një ushtar i këtij vendi. Situata ishte se mund të merrte pushtetin në atë kohë por nuk e bëri. Nuk pranoi të futej në institucion dhe vetëm ka thënë se kërkonte nga institucioni i shtetit të mos manipulonte zgjedhjet, është kthyer dhe ka hipur në makinë e ka ikur”, deklaroi zoti Basha.
Më tej, në fund të fjalës së tyre, të ftuarit në studio, vlerësuan figurën e të ndjerit, Sabri Godo, duke ngritur lart profiling e tij prej politikani të urtë e të mencur në 20 vitet e demokracisë në Shqipëri.
“Sabri Godo ishte i vetmi politikan që fliste kur të gjithë heshtnin dhe heshtte kur të gjithë politikanët e tjerë heshtnin. Ai ka ngritur zërin për cështje të rëndësishme kombëtare”, tha diplomati Lisjen Bashkurti.
Top Channel