Mazhoranca rrëzoi përfundimisht në Kuvend propozimin e Partisë Socialiste për të hequr tatimin mbi vlerën e shtuar në disa produkte ushqimore jetike dhe përgjysmin e kësaj takse në disa mallra të tjerë.
Deputeti socialist Erjon Braçe, i kujtoi mazharancës së ulja e TVSH-së ka qenë një nga pikat kryesore të programit të saj në vitin 2005, para se të vinte në pushtet
Erjon Braçe: TVSH do të ulet nga 20 përqind që është në 17 përqind, do aplikohet një shkallë e dytë tatimore prej vetëm 6 përqind për furnizimet me energji elektrike si dhe do të zerohet shporta me TVSH 0 përqind për furnizimet e shërbimeve të eduktimit, për barnat dhe shërbimet mjekësore, furnizimet për mediat dhe furnizimi me gaz të lëngshëm. Shkallët tatimore do të jenë progresive në bazë të nivelit të të ardhurave dhe shkalla maksimale do të jetë 20 përqind nga 23 përqind që është sot. Marksistë ishit kur e propozuat këtë? Jo. Ishit po të njëjtë demokratë që jeni edhe sot, kishit po të njëjtin kryeministër që keni edhe sot.
Ridvan Bode: Është e vërtetë që ju, kryetari juaj në fakt, jo ju, keni një mani, mani e cila po manifestohet në mënyrë përmanente, që është të kopjojmë Sali Berishën kur ka qenë në opozitë në gjithcka dhe në program. A ka thënë në 2004 Sali Berisha që ne do të ulim TVSH, dhe e ka thënë dhe keni qenë ju këtu që e keni rrëzuar atë propozim. Zgjedhja juaj për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën zoti Erjon! Harroje! Shqiptarët e kanë një Sali Berishë nuk kanë nevojë për një të dytë, mbajnë atë që kanë, që është provuar”, u kundërpërgjigj Ministri i Financave, Ridvan Bode.
Opozita thotë se ulja e taksave, sipas propozimit të saj është e nevojshme për shkak të rritjes së çmimeve.
Braçe: Po ju marr vetëm një produkt, sheqerin, që nga 800 lek shkoi në 1450 lekë dhe po të kërkosh në fshatra e shikon që është 1550 lek e 1600 lekë. Shqiptarët nxorrën nga xhepat e tyre dy herë më shumë para vetëm për një kilogram, ndërkohë që qeveria mori në arkën e saj dy herë më shumë para nga TVSH.
Bode: Vërtet në patëm programin e uljes së TVSH-së në 17 përqind, hoqëm dorë nga kjo sepse vendosëm taksën e sheshtë, e cila coi taksat në 10 përqind dhe jo në 17 përqind sic e kishim në program, sepse u bindëm që ajo ishte masa më e mirë, më e domosdoshme për të nixtur dhe mbështetur rritjen ekonomike.
Opozita propozoi heqjen e TVSH-së për një grup mallrash si grurin miellin vezët, ndërsa për disa të tjerë si vaji dhe sheqeri kërkoi përgjysmimin e saj në 10 përqind. Mazhoranca ka argumentuar votën kundër me faktin se sipas saj ulja e TVSH-së nuk sjell ulje të çmimeve dhe shkatërron sistemin tatimor duke krijuar hapësira për evazion.
Top Channel