Rusi, Medvedev propozon reformë zgjedhore

22/12/2011 15:30

Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, propozoi rikthimin e zgjedhjes nga populli të guvernatorëve lokalë, ndërsa foli për një reformë zgjedhore të domosdoshme.

E drejta e zgjedhjes nga populli e guvernatorëve të provincave u anullua nga paraardhësi i tij, Vladimir Putin, në vitin 2004. Që prej atëherë, është Kremlini ai që zgjedh personat që drejtojnë pjesët e ndryshme të Federatës Ruse.

Propozimi i Medvedev u krye gjatë një fjalimi që ai i adresoi parlamentit, i transmetuar drejtëpërsëdrejti nga televizioni, gjatë së enjtes. Gjithashtu, reforma zgjedhore do ta bëjë më të thjeshtë shpalljen e një kandidati, të cilit do t’i nevojiten vetëm 100 mijë firma për të marrë pjesë në votime, nga dy milion për të cilat ka nevojë në bazë të kushtetutës aktuale.

Pjesë e reformës zgjedhore do të jetë edhe lehtësimi i kushteve për regjistrimin e një partie të re politike. Sipas ekspertëve, lëvizja e Medvedev synon të reduktojë zemëratën e njerëzve, të ngritur prej tre javësh në protestat më të mëdha që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, disa mijëra persona protestonin njëkohësisht në Moskë.

Në një fjalim të mëparshëm, Putin e kundërshtoi idenë e zgjedhjes popullore të guvernatorëve, duke argumentuar se është në të mirën e interesave të shtetit që presidenti të shërbejë si një “filtër” midis zgjedhësve dhe guvernatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA