Kryeministri i Pakistanit, Yousuf Riza Gilani, deklaroi se ka informacione mbi përgatitjen e një grushti shteti kundër tij.
Në një deklaratë publike, ai rikujtoi se ushtria ka për detyrë të përgjigjet përpara Parlamentit dhe se çdo veprim i ushtarakëve ndaj institucioneve kushtetuese do të rikthente demokracinë në vend “dekada pas”.
Qeveria e Gilanit është vendosur nën presion të madh pas publikimit të një kabllogrami të “Wikileaks”, në të cilën ai i kërkon ndihmë amerikanëve në parandalimin e grushtit të shtetit.
Skandali ka sjellë shkarkimin e ambasadorit pakistanez në Uashington, por grupimet radikale në vendin me 170 milion banorë konsiderojnë përgjegjës autoritetet dhe kërkojnë dorëheqjen e tyre.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, është rikthyer së fundmi në vend, pasi iu nënshtrua një trajtimi mjekësor në Dubai, për shkak të disa problemeve në sistemin e tij kardiovaskular.
Problemet shëndetësore dhe irritimi publik që ka krijuar kabllogrami i publikuar kanë bërë gjithmonë e më të forta zërat se 56-vjeçare do të japë dorëheqjen.
Tensioni midis Pakistanit dhe SHBA-së është më i lartë se kurrë, pas dhunimit të sovranitetit në maj 2011, kur një komandë elitë vrau Bin Ladenin në qytetin e Abotabadit dhe pasi një bombardim i gabuar i NATO-s shkaktoi vdekjen e 24 ushtarëve, të ndodhur në një postë kufitare pranë kufirit afgan.
Si rrjedhojë, Islamabadi kërkoi tërheqjen e mënjëhershme të një baze të NATO-s të ndodhur në vend, ndërsa mbylli hapësirën dhe kapacitetet e tij për miisionin e aleancës.
Top Channel