Ka përfunduar faza e parë e anketës së faqes së internetit të Top Channel, e cila i dedikohet “Personazhit të vitit”.
Publiku ka votuar personat e dëshiruar dhe në këtë fazë të dytë, që nis nga 22 dhjetori, emrave të tyre u shtohen edhe propozimet e Departamentit të Informacionit.
Sa u përket zgjedhjeve të publikut:
“Në votimin e këtij viti kemi një risi sepse në përfundim të fazës së parë, në 10 emrat më të votuar, ishin katër emrat e të vrarëve të 21 Janarit, të cilët për të mos i vënë përballë njëri-tjetrit në fazën finale të votimit, vendosëm t’i bashkojmë në një emër të vetëm dhe për këtë arsye lista zbriti me 3 emra të tjerë poshtë. Por dy emrat e fundit të votuar kishin vota të barabarta dhe për të mos përjashtuar asnjërin prej tyre ne vendosëm t’i përfshijmë të dy, për këtë arsye kemi 11 kandidatura të propozuara nga publiku dhe 9 të propozuara nga Top Channel”, thotë Webmasteri i Top Channel, Igli Gjelishti.
Propozimet e Departamentit të Informacionit janë:
1. Kristo Frasheri – Historiani që i ka dedikuar gjithë jetën e tij historisë, duke sjellë teza bindëse mbi prejardhjen direkte të shqiptarëve nga ilirët dhe të qënurit autoktonë në trojet aktuale, duke hedhur poshtë tjetërsimet e historiografisë së huaj.
2. Piro Milkani – regjisori që me punën konstante ndër vite ka dhënë kontributin e tij në filma dhe dokumentare. Së fundmi për dokumentarin mbi shkrimtarin e njohur të letrave shqipe, Ismail Kadare.
3. Saimir Strati – Artisti shqiptar fitues për të gjashtën herë i “Rekordit Guinness”, kësaj radhe me mozaikun me kokrra kafeje, që përmban mesazhin fisnik të pesë kontinenteve të bashkuara.
4. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore – Një grup personash, të cilët përkundrejt indiferencës së institucioneve, papërgjeshmërisë së njerëzve dhe gjurmëve të kohës, përpiqen të shpëtojnë dhe mbrojnë pasuritë historike dhe kulturore që na lanë të parët tanë.
5. Ermonela Jaho – Këngëtarja lirike që po nderon emrin e Shqipërisë me zërin e saj në skenat më prestigjoze botërore. Së fundmi edhe në atë të Veronës.
6. Daniel Godelli – Peshëngritësi që fitoi titullin Kampion i Botës e më pas i Europës për të rinjtë.
7. Elena Kadare – Gruaja e letrave që u vlerësua në Panairin e Librit 2011 si shkrimtarja më e mirë.
8. Alexander Arvizu – Ambasadori i SHBA në Tiranë. Njeriu kontroversal i kritikuar nga të dyja kahet politike, por që qendroi i palëvizuar deri në orët e para të mëngjësit së ditës kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve lokale në Tiranë.
9. Alket Islami – Fotoreporteri që ka sjellë pamje eksluzive të Shqipërisë së parë nga sipër dhe organizatori i “Albania Open World Cup”, mitingu ndërkombëtar i fluturimeve, që për herë të parë do të mbledhë në Shqipëri në 2012, mbi 200 parashutistë nga e gjithë bota .
Top Channel