Meksikë, shkarkohen 900 agjentë policie

22/12/2011 10:45

Të gjithë agjentët e policisë të një komune në Meksikë janë shkarkuar nga autoritetet, si pjesë e një fushate për crrënjosjen e korrupsionit dhe përmirësimit të sigurisë përballë dhunës së narkotrafikut.

Mbi 900 oficerë në Verakruz-Boka del Rio po humbasin vendin e punës, pasi marina meksikane po merr përsipër përgjegjësinë për vendosjen e ligjit.

Lëvizja në fjalë vjen tre muaj pasi 35 trupa të pajetë u gjetën të hedhur në një rrugë kryesore të komunës në fjalë, që përfshin disa zona të Verakruzit.

Trupat e marinës, të mbështetura nga oficerët e policisë federale, morën nën kontroll ndërtesat e policisë lokale dhe tani janë ato që po patrullojnë rrugët.

Guvernatori i shtetit të Verakruzit, Javier Duarte deklaroi se vendimi për të shpërbërë forcat e policisë ishte pjesë e një programi të gjerë kombëtar për reformimin e forcave të rendit.

“Të gjithë ata që i përkisnin forcave të ish-drejtorisë së Verakruz-Boka del Rio mund të kthehen në polici vetëm nëse kalojnë testin e së vërtetës, që kërkohet nga sistemi kombëtar për sigurinë publike”, deklaroi guvernatori.

Zyrtari i lartë nuk bëri të ditur se për sa kohë marina do të kryejë detyrat e policisë së kësaj komune, që ka rreth 600 mijë banorë, lagje të pasura dhe zona të njohura turistike.

Qindra marinsa janë vendosur në rrugët e Verakruz-Boka del Rio pasi 35 kufoma u gjetën në një rrugë, në mes të ditës, në shtator, ndërsa dy javë më vonë marina gjeti 32 trupa të tjerë të vendosur në ndërtesa të ndryshme.

Por përvec shkarkimeve, policia autoritetet meksikane janë ndeshur edhe me një tjetër fenoment, atë të vetëlargimit të agjentëve nga forcat e rendit.

Muajin e kaluar, agjentët e policisë të komunës së Karakuaros, në shtetin e Mikoacanit, hoqën dorë në masë nga detyrat e tyre pas kërcënimeve me vdekje nga organizatat kriminale.

Në kuadër të luftës kundër drogës, policia meksikane arrestoi disa ditë më parë një nga themeluesit e kartelit famëkeq Los Zetas, që “bën ligj” në 10 nga 32 shtetet e Meksikës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA