Plani për masat e kursimit i Kryeministrit Italian, Mario Monti, do të përballet të enjten me votëbesimin në Senat.
Projekti bazohet në tre pika kryesore, që përfshin reduktimin e investimeve, rritjen e taksave dhe një reformë mbi pensionet.
Ndonëse të gjitha grupimet e mëdha politike kanë shprehur rezerva ndaj projektit, është arritur një konsensus dhe pritet që ai të miratohet me shumicë të qartë.
Monti drejton një qeveri teknokratësh, e cila duhet të udhëheqë Italinë drejt daljes nga kriza më e thellë ekonomike që po përjeton vendi që pas Luftës së Dytë Botërore.
Monti, një ish-Komisioner i BE-së për Konkurrencën dhe Tregëtinë, u emërua si Kryeministër pas dorëheqjes së Berlusconit në muajin nëntor. Sipas tij, nëse Roma zyrtare do të vazhdojë të bëjë “sehir”, atëherë vendi rrezikon të përballet me një kolaps financiar si ai i Greqisë.
Projekti i Montit për reduktimin e defiçitit të lartë buxhetor përfshin:
– Rikthim i taksës mbi banesën. (parashikohet të derdhë në arkën e shtetit 3,5 miliardë euro në vit)
– Rritje e TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar)
– Rritje e taksave për shitjen e pronave personale (pritet të krijojë 5 miliardë euro në arkat e shtetit)
– Reduktim i shpenzimeve për shëndetësinë (5 miliardë euro deri në 2013-n)
– Rritje e moshës së daljes në pension, nga 65 në 66 vjeç
– Vendosjen e detyrimit për hetimin e të gjithë transaksioneve bankare mbi 1 mijë euro, për të luftuar evazionin fiskal në vend
Top Channel