Autoritetet finlandeze kanë konfiskuar në një anije që shkonte drejt Kinës, raketa dhe eksplozivë të padeklaruar, bënë të ditur zyrtarët.
Policia ka marrë në pyetje ekuipazhin e anijes MS Thor Liberty, pas gjetjes së atyre që u përshkruan si kundër-raketa Patriot.
Ministri i Brendshëm finlandez, Paivi Rasanen tha se raketat ishin shënuar si “fishekzjarre”.
Anija ishte ankoruar në portin finlandez të Kotkas, pas largimit nga Gjermania javën e kaluar.
Punëtorët e portit dyshuan pas gjetjes së eksplozivëve të paketuar keq në paleta të hapura, ndërsa raketat u gjetën më pas në kontenierët e shënuar si “fishekzjarre”.
Drejtori që menaxhon kompaninë e anijes , “Thorco Shiping”, u shpreh i habitur. Thomas Mikkelsen i tha agjencisë së lajmeve AFP nga Danimarka, që nuk ishte në dijeni të çështjes.
Një tjetër zyrtar i kompanisë, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi se anija kishte ndaluar në Finlandë dhe tha se raketat mund të kenë qenë ngarkuar në anije gabimisht, shton AFP.
Ndërsa sipas agjensisë të lajmeve “Reuters”, policia nuk konfirmon atë që mediat finlandeze raportojnë që anija kishte në plan të ndalonte edhe në Korenë e Jugut.
Top Channel