Fjala e Presidentes së Kompanisë “Top Media”
Jam shumë e emocionuar, jam edhe shumë e lumtur që këtë përvjetor të dhjetë të “Top Channel” po e festojmë së bashku, në këtë mënyrë, dhe me kaq shume miq të nderuar. Ju falënderoj të gjithëve! Të gjithë ata që na kanë nderuar me praninë, të gjithë ju, të gjithë ata punonjës e bashkëpunëtorë që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë një dekade për realizimin e një ëndrre të madhe të Tanit.
Një ëndërr që vazhdon dhe që sjell edhe shumë ëndrra të tjera. Por jemi vetëm në 10 vitet e parë, jemi 10 vjeç, jemi ende fëmijë, dhe fëmijët kanë shumë ëndrra për të ardhmen.
Prandaj, dhe ëndrra jonë vazhdon!
Kthej kokën pas në kohë dhe kuptoj edhe më shumë se çfarë kemi mundur të bëjmë realitet.
Kemi bërë shumë gjëra, kemi arritur shumë suksese, të cilat nuk është më nevoja t’i përsëris.
Shumë prej tyre u thanë përgjatë kësaj mbrëmjeje. Dua të ndalem vetëm në një aspekt, atë kombëtar.
Ne kemi mundur të sjellim të gjithë shqiptarët më pranë njeri-tjetrit, kemi bashkuar trojet, ku tashmë kufijtë nuk kanë aspak rëndësi. Kemi rrëzuar muret dhe kemi sjellë më afër shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Greqi e kudo ku ka shqipfolës. Një arritje e madhe, një tjetër ëndërr e madhe e Tanit e bërë realitet!
Dhe kjo është një ndër arsyet se përse vendosëm që këtë vit, në këtë përvjetor të “Top Channel”, Çmimin e Fondacionit ‘Dritan Hoxha’ për vitin 2011 t’ia jepnim një studiuesi të njohur, një njeriu që ka dhënë kontributin e tij edhe për çështjen tonë kombëtare. Ky çmim shkon për Profesor Kristo Frashërin.
Top Channel