Aleksandër Çipa – Kanali televiziv më i rëndësishëm në hapësirën e sotme shqiptare, “Top Channel”, kremton 10-vjetorin e krijimit të tij.
Është dita kur në Shqipërinë e postkomunizmit, audienca shqiptare, brenda dhe matanë kufijve administrativë, po ndiente se si falë vizionit të një individi dhe bashkimit të profesionistëve më të mirë, po lindte një standard i ri, po fitohej një mundësi e re dhe po kapërceheshin tabu dhe vende të Europës. Ishte një kapërcim që Shqipëria e tranzicionit, po e kryente si kurrë më parë dhe si askush tjetër.
Është një dekadë, moshë reale fizike e një medieje e cila pranohet, njëzëri prej së gjithë shoqërisë, si zëri më i rëndësishëm i lirisë së medias dhe fjalës në vend. Një korpus i pazëvendësueshëm, i cili falë idesë dhe ambicies gjeniale të Presidentit të saj, po i jepej hapësirës shqiptare si një infrastrukturë magjike për integrimin shqiptar dhe për krahasimin europianist.
“Top Channel” është kanali kombëtar që i dha kohë dhe i fali krahasim Shqipërisë dhe shoqërisë së saj në raportet dhe perimetrat europianë e globalë. Të gjitha hartat dhe indekset e nivelit teknologjik të medias në Europë dhe sidomos në rajonin ballkanik, u shembën prej rastit “Top Channel”. Shqipëria u kryerendit dhe ekranet rajonale fituan një referencë të re, shtuan një pikë të re marrje-dhënieje për lajmet dhe ndodhitë e bujshme të këtij 10-vjetëshi në Shqipëri.
“Top Channel”, është në këtë dekadë, rasti i një televizioni që dëshmoi befasueshëm dhe imponueshëm, dimensionin e madhimit dhe të forcës, vlerat e sqimës dhe të garimit profesional, virtytet e ekranit që krahasohet me kompanitë e suksesit mediatik dhe informues, është shembulli i një medieje që sakrifikon në emër të së vërtetave.
“Top Channel” listohet sot, pas 10 vjetësh, si korpusi kryesor i imazheve dhe fjalës së oponencës qeverisëse dhe ndaj së keqes në këtë vend.
Pa të, shoqëria do të ndihej më e varfër nga ç’është dhe më e vonuar nga sa shfaqet. “Top Channel” është një kohë e fituar për mediat shqiptare në tërësi, është realiteti që u investua dhe po investohet si simbol i zërit dhe i forcës kryesore të lirisë së medias dhe pavarësisë së fjalës.
Dhjetëra e qindra profesionistë shqiptarë, kanë dhënë e shkëmbejnë përvojë dhe pasurojnë karrierat e tyre në garën e madhe përmes institucionit televiziv “Top Channel”.
Në 10 vjetët e jetës së televizionit që e vetëfitoi cilësinë e të qenit kombëtar, ishin ngjarje jo vetëm prurjet sfidante, jo vetëm të pamundurat e mundësuara dhe kapërcyera, por më së shumti, virtyti i kurajës dhe guximit, të cilat formësojnë testamentin e paprekshëm të ideatorit dhe themeluesit, Dritan Hoxha.
Një dekadë e re po starton në jetën e “Top Channel”-it, një perspektivë ku themelia është e sigurt dhe ku sfida e rritjes shihet si proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm. Zëri dhe forca e këtij televizioni është nevojë për krejt shoqërinë, është elementi mbi të cilin do të vijojë të mbështeten gjeneratat e emancipuara dhe europianiste të shoqërisë.
“Top Channel” është zëri dhe dimensioni më i rëndësishëm i lirisë së sotme të medias dhe fjalës, është institucioni i vetëm ku pavarësia fiton provë dhe dëshmi të vijueshme. Programet dhe emisionet e shumta të “Top Channel”-it, aseti teknologjik dhe njerëzor, formësojnë në funksionin e tyre real një shpresë për të ardhmen dhe për të sotmen e medias shqiptare.
Duke nisur një dekadë të re në jetën dhe funksionin e “Top Channel”-it, shënjohet për krejt realitetin mediatik të vendit si rasti pa të dytë. Është forca reale e një pushteti që dominon kurajshëm mbi egërsinë dhe padashuritë e pushteteve të tjera të shoqërisë në tranzicion.
Edhe një mijë vjet jetë, Top Channel!
Edhe një jetë të gjatë zërit dhe imazhit më të rëndësishëm të mediave shqiptare në shekullin XXI!
Top Channel