Presidenti i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, në Libi, Mustafa Abdel Jalil ka deklaruar të mërkurën se javën e ardhshme është parashikuar të nisë procesi kundër Saif al Islam.
Gjithashtu, sipas Jalil, po javën e ardhshme pritet të nisin procese gjyqësore ndaj personave të tjerë, të akuzuar për lidhje me regjimin e rrëzuar të Muammar Gaddafi-t.
I biri i Gaddafi-t u arrestua nga gjysma e nëntorit në jug të Libisë, pasi fillimisht arriti të shpëtonte ditën kur trupat e rebelëve vranë të atin dhe morrën nën kontroll të plotë territorin e vendit.
Por nga ana tjetër, kreu i KKT-së ka denoncuar edhe një fakt tejet shqetësues, infiltrimin e njerëzve të djalit tjetër të kolonelit në radhët e regjimit të ri të ngritur pas luftës.
“Në qeverinë libiane ka elementë që marrin urdhëra nga Saadi Gaddafi. Për këtë kemi prova bindëse”, ka deklaruar Jalil në një intervistë për “Al Arabya”.
Ish-lojtari i klubit italian të Peruxhës, i kërkuar për krime lufte të kryera gjatë valës së protestave popullore që përfshinë vendin, dyshohet se aktualisht ndodhet në Niger.
Situata në Libi vazhdon të jetë e tensionuar, pasi disa ditë më parë, në Bengazi, vendi nga ku morën udhë protestat si revoltë popullore kundër regjimit të Gadafit, nisën sërish manifestimet.
Ndërsa disa ditë më vonë, vajza e ish-diktarorit i dërgoi një kërkesë zyrtare Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të hetojë për vrasjen brutale të të atit 69-vjecar në tetor.
Top Channel