Afganistan, talebanët vresin pesë ushtarë polakë

21/12/2011 16:20

Një minë e vendosur në rrugë shkaktoi vdekjen e pesë ushtarëve polakë të NATO-s në Afganistan, në atë që përbën humbjen më të madhe për ushtrinë polake që prej nisjes së misionit në vendin musliman.

Sipas Agjensisë Polake të Lajmeve “PAP”, ushtarët ndodheshin disa kilometra nga baza e tyre në krahinën e Ghaznit, kur ranë në kontakt me minën në rrugë. Tre prej ushtarëve ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë në një spital ushtarak.

Polonia ka 2 500 trupa në Afganistan, të vendosura në krahinën e lartpërmendur. Ushtarët ishin pjesë e një reparti xhenier, i ngarkuar me rindërtimin e disa nyjeve të rëndësishme infrastrukturore.

Talebanët kanë marrë përsipër përgjegjësinë për këtë ngjarje. Në nëntë vjet pjesëmarrje të ushtrisë polake në misionin e NATO-s, 36 ushtarë kanë mbetur të vrarë në Afganistan.

Pas kësaj ngjarje, numri i përgjithshëm i ushtarëve të aleancës së vrarë gjatë vitit në Afganistan ka shkuar në 532.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA