Organizatat ndërkombëtare humanitare japin për të disatën herë alarmin për krizën humanitare tepër të rëndë dhe mungesën e ushqimit që ka përfshirë mbi 250 mijë banorë në Somali.
Agjencia “Famine Early Warning Systems Network” (FEWS) deklaron se mbi 250 mijë somalezë rrezikojnë vdekjen brenda këtij viti si pasojë e mungesës së ushqimit.
Situata më e rënduar paraqitet në zonat jugore të vendit, ku shumë rajone kontrollohen nga grupi terrorist Al Shabab dhe grupe të tjera të lidhura me të. Por edhe në disa rajone të kryeqytetit Mogadisho, jepet alarmi për mungesë të ushqimit.
Në Somali, thotë agjencia, cdo gjashtë minuta vdes një fëmijë si pasojë e mungesës së ushqimit. FEWS thotë se situata rëndohet cdo ditë e më shumë edhe për shkak se organizatat humanitare ndërkombëtare nuk mund të ofrojnë ndihmën e tyre për shkaqe të sigurisë në vend.
Somalia prej më shumë se dy dekada është përfshirë në një luftë të përgjakshme civile që u ka marrë jetën mijëra personave. Vendi që prej vitit 1991 nuk ka patur një qeveri të qendrueshme, që të kontrollojë të gjithë territorin. Forcat qeveritare, të mbështetura nga trupat paqeruajtëse të OKB-së dhe forca të Unionit Afrikan, luftojnë kundër grupit terrorist, që mendohet se ka lidhje me Al Kaedan, Al Shabab.
Al Shabab konsiderohet përgjegjës edhe për dhjetra rrëmbime të shtetasve europianë në zonat kufitare të Somalisë me Kenian.
Në ditët e para të dhjetorit, Somalia u vizitua nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Ai shprehu mbështetjen për qeverinë vendase dhe bëri thirrje për më shumë ndihma humanitare për vendin afrikan, i shkatërruar nga lufta.
Top Channel