Në vend të heqjes së tyre, Serbia kërkon legalizimin e institucioneve paralele. Beogradi nuk mendon të largoj institucionet nga Kosova përkundër sugjerimeve të kancelares gjermane, Angela Merkel.
Një ditë pas vizitës, i ashtuquajturi Sekretari Shtetëror i Ministrisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka theksuar se më lehtë do të ishte sikur bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina t’i pranonin institucionet e Serbisë.
Ivanovic ka sqaruar se është e domosdoshme që Serbia të ketë institucionet e saj në Kosovë pasi kjo ka të bëjë me një shërbim që të gjithë qytetarët e Serbisë në Kosovë duhet ta kenë.
Sipas tij, arsimi dhe shëndetësia nuk mund të jenë institucione paralele, ndërkaq për pushtetin lokal do të jetë vështirë të anulohet pasi qytetarët, e sidomos në Veri, nuk kanë alternativa të tjera.
Por, ai ka thënë se qeveria do të duhet të flasë më shumë me serbët e Veriut dhe t’i ketë partner në zbatimin e disa kushteve të vëna nga Brukseli.
Por, siç thotë Ivanovic, presioni i shtuar tek serbët ndikon negativisht dhe pakënaqësia me Europën rritet edhe më shumë pasi serbët ndjehen se kanë kushte të dyfishta.
Top Channel