Me interes të madh është pritur në Greqi publikimi i listës në faqen zyrtare të Parlamentit, me deklaratat për pronësinë dhe depozitat bankare për vitin 2009, të politikanëve grekë. Lista përmban emrat e 189 ish deputetëve në atë vit, të 300 deputetëve të sotëm, të eurodeputetëve, ministrave dhe kryefinacierëve të partive politike të vendit.
Nga publikimi i deklaratave vihet re se asnjë prej politikanëve nuk ka cuar zyrtarisht, nëpermjet rrugëve bankare, para në bankat e Zvicrës dhe për më tepër nuk shquhen shuma të mëdha të depozitave të tyre.
Kryetari i Komisionit të Kontrollit, Vangjelis Argjiris ka deklaruar se nëse gjendet dikush, edhe me 100 euro të depozituara në Zvicër, kjo do të përbënte shkelje ligji përdersia është deklaruar zyrtarisht.
Reagime ka krijuar fakti se 15 deputetë duket se kanë tërhequr nga depozitat e tyre shuma nga 100.000 deri në 400.000 euro dhe shumica e tyre nuk ka deklaruar se ku i ka përdorur këto para.
Përsa u përket udhëheqësve të partive kryesore të vendit nuk regjistrohet ndonjë ndryshim në pasuritë e tyre. Në gjëndje më të mirë ekonomike për sa i përket pronave dhe depozitave, rreshtohen kryetari i partisë ultranacionaliste LAOS, si dhe ish-ministrja e Jashtme Dora Bakojanis. Ndërsa pothuajse në të njëjtat nivele ndodhen depozitat bankare të udhëheqësve të dy partive më të mëdha të vendit, Jorgos Papandreut dhe Andonis Samaras.
Megjithëse publikimi i pasurive dhe depozitave të politikanëve grekë bëhet pothuajse cdo vit, konsiderohet se nuk zbulon përsëri rrënjët e pasurive të përfituara prej tyre ndër vite, ndërsa qytetarët grekë akuzojnë klasën politike jo vetëm si fajtore për rrënimin e ekonomisë së vendit, por edhe për korrupsion dhe evazion fiskal.
Vetëm brenda këtij, viti dy ish-ministra janë ende në gjykim, ndërsa ka shumë zëra se një pjesë e madhe e politikanëve i kanë cuar depozitat e tyre në Zvicër dhe prandaj është kërkuar prej bankave zviceriane t’i jepet fund sekretit mbi informacionet për klientët e tyre grekë.
Top Channel