Merkel “kundër” Gjermanisë

20/12/2011 15:35

Përpjekjet e Berlinit për të rimodeluar Europën sipas imazhit të tij ekonomik mund të vijnë me një farë kostoje për makinerinë gjermane të eksporteve.

Ndërsa qeveritë italiane, spanjolle e irlandeze përpiqen të bindin kancelaren Angela Merkel dhe mbajtësit e obligacioneve se do të arrijnë t’i zbusin problemet e tyre të borxhit, zyrtarët po i mëshojne politikave të skicuara për rivendosjen e konkurueshmërisë.

Rreziku për Gjermaninë, thotë Bloomberg, eskportet e të ciles përbëjnë gati gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, është se transformimi i vendeve problematike në një kopje të saj, mund të funksionojë pak më mirë se ç’duhet.

Përpjekjet e qeverive të eurozonës për të ulur koston e punës mund t`i ndihmojë eksportuesit anembanë Europës Jugore të sfidojnë dominimin e konkurentëve gjermanë, duke filluar nga Siemens AG, konglomerati më i madh inxhinierik në “Kontinentin e Vjetër”, e deri tek prodhuesi i makinave Bayerische Motoren Werke.
 
“Është e vërtetë, konkurenca do të rritet dhe ne duhet të përpiqemi të përmirësohemi. Shqetësimi im kryesor është se mes gjithë këtyre bisedave për fuqinë e Gjermanisë, mund të jemi pak si shumë të kënaqur me veten”, thotë Wolfgang Clement, ish-ministër në qeverinë gjermane.
 
“I sëmuri i Europës” u quajt ky vend pas mundimit për t’i bërë ballë pasojave të ribashkimit në 1990-n. Sot, Gjermania është shndërruar në motorin e rritjes ekonomike të Europës dhe në eksportuesin e tretë më të madh të botës pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Por nëse do të ndjekin shembullin e saj, dy rivalët potencialë, Italia dhe Spanja, mund t’i kapërcejnë vështirësitë e të shndërrohen ngadalë në konkurentë të rrezikshëm.

Procesi është i gjatë, vazhdon Bloomberg, por të paktën në rastin e Italisë mendohet se Mario Monti do të arrijë ta përmirësoje situatën ekonomike të vendit edhe më shpejt nga c`iu desh ish-kancelarit gjerman Gerhard Schreder në 2003-n, kur politikat e tij të tregut të punës filluan të japin rezultate vetëm dy vjet pas prezantimit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA