E kanë mbështetur në Kuvend dhe votat e tyre bënë që mocioni i lëvizjes Vetëvendosje të miratohej me shumicë votash, gjithësejt 42, kundrejt 33 të tjerave që ishin kundër.

Por, dy subjektet politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë të gatshme që ta mbështesin Vetëvendosjen për të bllokuar mallrat serbe në dy portat kufitare, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

Në të dyja këto parti deklarohen se zbatimi i mocionit duhet të ndiqet nëpërmjet menyrave institucionale, e jo përmes rrugës.

Një “ultimatum” të tillë e ka dhënë dje lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës, nëse deri më 1 janar të 2012-ës qeveria nuk e zbaton mocionin e votuar në Kuvend për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, atëherë më 14 janar do të jenë aktivistët e Vetëvendosjes që do ta zbatojnë atë përmes rrugëve joinstitucionale.

“Natyrisht, secila parti do të marrë rrugën që është edhe në përputhje të plotë edhe me programin e saj. Megjithatë, ju e dini që LDK është parti institucionale, është parti që në dekada ka luftuar për ndërtimin e institucioneve dhe ne besojmë që vetëm përmes rrugëve institucionale mund të arrihet ajo për të cilën ne po avokojmë. Nuk do të ishte në përputhje me programin tonë dhe me ideologjinë partiake të LDK-së që të dalim në rrugë dhe të kundërshtojmë një veprim të qeverisë”, ka deklaruar Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.

“Qeveria është e detyruar ligjërisht që ta impelemtojë atë. Nëse nuk e implementon, atëherë AAK do të shikojë të gjitha mundësitë ligjore se si të adresojë presionin opozitar që ky mocion të respektohet dhe të obligohet. Ato janë politika që i bën Vetëvendosje. Nuk është në politikat e Aleancës që të dalë në rrugë. Besojmë që ka mundësi ligjore”, është shprehur nga ana tjetër Burim Ramadani, deputet i AAK-së.

Ndryshe, në lidhje me një bllokim të mundshëm të dy portave kufitare nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka deklaruar për Top Channel se, “policia dhe personat e tjerë që merren me ruajtjen e rendit do të kryejnë punën e vet dhe askush s’mund ta pengojë lirinë e lëvizjes”.

Ndryshe, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se kryreministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë grusht shteti kur deklaroi se mocionin e votuar në Kuvend e konsideron opinion e rekomandim që nuk e detyron qeverinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA