
Zv/presidenti sunit irakian, Tarek Al Hashemi mohoi akuzat për terrorizëm pas lëshimit të urdhër-arrestit kundër tij, që erdhi pak ditë pas largimit të ushtarëve amerikanë nga Iraku.
Ai i cilësoi “të fabrikuara” akuzat që e lidhnin, me sulmet kundër qeverisë dhe zyrtarëve të sigurisë.
Gjithashtu ai akuzoi kryeministrin shi’it Nuri Al Maliki se qëndron prapa këtij komploti të ngritur kundër tij, jo vetëm për ta denigruar por për të hedhur në erë planet për pajtimin kombëtar.
Mbi gjithcka, Al Hashemi, gjatë një konference për shtyp në Irbil, paralajmëroi për një luftë të re sektariane.
“Jam gati të qëndroj përpara një gjykatësi, unë dhe truprojat e mi. Por për të garantuar minimunim e kërkuar për Drejtësinë, kam vërejtjet ndaj hetimeve paraprake, të kryera nga brigada e Bagdadit apo nga policia federale apo nga shërbimet sekrete ushtarake. Jam i shqetësuar për dëshmitë, kësisoj kërkoj një hetim që të kryhet nga gjykatësit në rajonin e Kurdistanit, dhe atje procesi të ndiqet nga afër. Atëherë do të jem i gatshëm të dal përpara drejtësisë”, tha Tariq Al Hashemi zv.president i Irakut.
Zv/kryeministri irakian, Saleh Al Mutlak, edhe ky një sunit që i përket grupit “Irakija” ku bën pjesë edhe Hashemi- i tha më herët BBC-së se vendi rrezikon të ripërfshihet në një luftë sektariane.
Mutlak tha se komuniteti sunit është shtypur nga qeveria me dominancë Shi’ite e Nuri Al Malikit.“Sadami ishte një diktator, po kaq është edhe Maliki”- tha ai.
Zëdhënësi i Malikit tha per BBC-në se urdhër-arresti është një cështje që nuk duhet të politizohet. Këshilltarët e Malikit kanë bërë thirrje për bisedime urgjente, me qëllimin për ta zgjidhur krizën e krijuar.
Top Channel