Eurodeputja austriake, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, u ka kërkuar njohjen e shtetit më të ri të Europës pesë vendeve antare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë këtë.
Siç raportoi të martën “Telegrafi”, thirrjen drejtuar Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës, Lunacek e bëri në një intervistë dhënë portalit të Bashkimit Evropian “Euroaktiv”.
Ajo tha se do të ishte shumë më mirë sikur të kishte pasur konsensus të gjerë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por meqë kjo ka qenë e pamundur të mbështetej përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008 ka qenë vetmja rrugë që t’i jepej zgjidhje problemit të Kosovës.
Raportuesja shtoi se shpreson që në një të ardhme të afërt, Serbia do ta njohë Kosovën, por më parë, ka theksuar ajo, këtë veprim duhet ta ndërmarrin pesë vendet europiane që ende nuk e kanë bërë.
“Asnjë prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian, as Spanja e asnjë tjetër nuk kanë më arsye që edhe më tej të mos njohin pavarësinë e Kosovës, sidomos pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të korrikut 2010, të apeluar nga Serbia, ku thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare”, u shpreh Lunacek.
Vendimi ka qenë i qartë pasi aty thuhet në mënyrë të prerë se akti i shpalljes s pavarësisë nuk ka thyer të Drejtën Ndërkombëtare. Ajo ka bërë të qartë se Kosova është një shtet i ri dhe se perspektiva e saj bashkë me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. “Kur kjo të ndodhë, rëndësia e kufijve nuk do të jetë më ajo që ka qenë deri më tani”, përfundoi raportuesja.
Top Channel