Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac ka kërkuar sërish largimin e barrikadave serbe në veri të Kosovës, në mënyrë që të rikthehet lëvizja e lirë.
“Barrikadat duhet të largohen në mënyrë që të vendoset liria e lëvizjes, që është dhe një parakusht për sundimin e rendit dhe ligjit”, ka deklaruar De Marnhac.
Gjendja e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e pandryshuar si pasojë e barrikadave nëpër rrugët kryesore dhe banorëve serbë që i mbikëqyrin ato.
Vlerësimi në fjalë u bë të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë, që u mbajt në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Në një intervistë për “RTK”, shefi i misionit evropian ka përsëritur gjithashtu apelin drejtuar institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Një apel të ngjashëm bëri të hënën edhe kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin Hashim Thaci dhe vetë De Marnhac.
Përvecse kundërshtoi praninë e strukturave paralele serbe, Merkel e vuri theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të bashkëpunojë me EULEX-in.
“Mendoj se tema e korrupsionit mbetet në rend të ditës dhe për këtë kemi folur. Është me rëndësi bashkëpunimi me Eulex-in dhe është me rëndësi që kjo të mos jetë vetëm në letër. Kryeministri më ka premtuar se kjo po bëhet”, tha Merkel.
Top Channel