Britania bojkoton skemën për FMN-në

20/12/2011 00:00

Britania e Madhe nuk ka pranuar të kontribuoj në fondin e shpëtimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet e eurozonës.

Ministri britanik i Financave Xhorxh Osborn ua tha këtë kolegëve të tij të BE-së se vendi i tij nuk do të kontribuojë shumën e 50 miliardë stërlinave për fondin prej 200 miliardë stërlinash i cili është projektuar në mënyrë të posacme për eurozonën.

Por ai këmbënguli se ndërkohë që Britania ishte e gatshme të merrte pjesë në përpjekjet globale për të forcuar arkën e FMN-së, Londra nuk do të merrte pjesë në një fond i cili kishte si objektiv vetëm rajonin e eurozonës.

Suedia, Danimarka, Polonia dhe Republika Ceke do të kontribuojnë në fondin e FMN-së, por vetëm pasi ta kenë aprovuar parlamentet respektive një vendim të tillë.

Një zëdhënës i qeverisë në Londër tha se Britania gjithmonë ka qenë e gatshme të marrë në konsideratë shtimin e burimeve të tjera për FMN-në, por vetëm për rolin e saj global dhe vetëm në kuadër të një marrëveshje globale.

Britania këmbëngul se FMN duhet të mbeshtesë vende dhe jo monedha.

Sipas analisteve nuk është vetëm Britania që nuk po merr pjesë në këtë lojë. Amerikanët po thonë se FMN-ja nuk po shpëton shtetin e Kalifornisë në vështirësi financiare, atëherë përse duhet të fillojë të shpëtojë provinca të eurozonës.

Kjo lëvizje e Xhorxh Osborn, Minstrit të Financave vjen pas vetos së vënë nga Kryeministri Kameron për një traktat të ri të BE-së që synonte lehtësimin e krizës në Eurozonë, ku Britania nuk bën pjesë.

Vendimi i tij ka bërë që popullariteti i tij të shtohet dhe konservatorët britanikë në sondazhet tashmë ndodhen shumë pikë përpara opozitës laburiste.

Top Channel