Bllokohet rruga Tiranë-Elbasan

20/12/2011 00:00

Reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve  edhe në aksin nacional Elbasan-Tiranë. Qafë-Krraba është mbuluar tërësisht me dëborë ku trashësia e saj ka mbërritur deri në 30 cm.

Njëkohësisht e gjithë rruga është mbuluar edhe nga mjegulla e dendur, duke sjellë një rrezik të madh për drejtuesit e automjeteve.

Për këtë arsye patrullat e qarkullimit rrugor kanë ndaluar lëvizjen e mjeteve që shkojnë nga Elbasani drejt Tiranës, qofshin ato të pajisura edhe me zinxhirë. Disa automjete kanë ndalur udhëtimin për shkak të rëndimit të situatës.

Burime nga Emergjencat Civile bëjnë me dije se për të zhbllokuar rrugën, janë vënë në dispozicion dy borëpastruese.

Por Shefi i Emergjencave, Mustafa Arapi  këshillon shmangien e lëvizjes së mjeteve ose në të kundërt rekomandon lëvizjen nga rruga e Durrësit, e cila është më e sigurtë.

Gjatë natës pritet që situata të rëndohet edhe më tej prej uljes së ndjeshme të temperaturave dhe intensitetit të lartë të dëborës. Burime nga policia bëjnë me dije se disa automjete kanë dalë nga rruga, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA