Presidenti serb Boris Tadic po shqyrton një sërë mënyrash që Serbia të dalë e fituar nga zgjidhja e cështjes së Kosovës, të cilën ai vazhdon ta konsiderojë të hapur.
Kështu, në një intervistë për të përditshmen maqedonase “Dnevnik”, Tadic ka deklaruar se Serbia po shqyrton marrëveshjen e paqes së Irlandës Veriore si model për zgjidhjen e mundshme të konfliktit me Kosovën.
Në kuadër të marrëveshjes së paqes të vitit 1998, e njohur si E Premtja e Mirë, qeveria e Dublinit hoqi dorë nga pretendimet për sovranitet mbi Irlandën e Veriut, duke e zëvendësuar atë me shpresën për të parë një Irlandë të bashkuar, por të bazuar në votime në të dyja anët.
Tadic ka thënë se Beogradi po përpiqet që të arrijë një marrëveshje të njëjtë me qeverinë e Prishtinës, gjë që sipas tij do të hiqte një pengesë në rrugën e integrimit të Serbisë në BE.
“Ekziston modeli irlandez, ku pavarësisht se Republika e Irlandës nuk e njeh ndarjen e integritetit territorial me Irlandën Veriore, është sërish anëtare e BE-së”, ka deklaruar Tadic.
Më tej gjatë intervistës, presidenti serb ka pranuar se kthimi tërësor i Kosovës nën sovranitetin e Serbisë është i pamundur. Por nga ana tjetër ai ka theksuar se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga negociatat pa arritur asnjë përfitim nga kjo cështje.
“Serbia nuk ka iluzione se mund ta kthejë Kosovën në sistemin e Republikës së Serbisë, ashtu sic ishte para vitit 2000. Por Serbia nuk heq dorë nga negociatat dhe insistimi për një zgjidhje të qendrueshme”, ka deklaruar Tadic.
Presidenti serb është shprehur gjithashtu se opsioni për ndarjen e Kosovës, i shumëpërfolur në qarqet politike serbe por i kundërshtuar nga Prishtina, nuk përbën një zgjidhje reale.
Javën e kaluar, gjatë një vizite në Shkup, Tadic deklaroi se cështja e Kosovës nuk duhet të bëhet pengesë për integrimin e Serbisë në strukturat evropiane.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, Tadic u shpreh se Kosova përbën një interes legjitim për Serbinë.
“Serbia ka interesa legjitime prej të cilave as nuk mundet dhe as nuk dëshiron të heqë dorë dhe zgjidhja e cështjeve për Kosovën nuk mund të jetë pengesë për të ardhmen evropiane të Serbisë”, deklaroi Tadic.
Ndërsa më herët gjatë muajit, presidenti kundërshtoi propozimin e faktorit ndërkombëtar në bisedimet me Kosovën, për të hequr dorë nga rezoluta 1244.
Top Channel