Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është paraqitur të hënën në Pallatin e Drejtësisë, për të marrë pjesë në seancën e procesit “Mills”, në të cilin është i pandehur për korrupsion në vendime gjyqësore.
Në seancë është dëgjuar në videokonferencë avokati anglez David Mills, që sipas akuzës është paguar 600 mijë dollarë për të bërë dëshmi të rremë në procese që kanë të bëjnë me vendosje tangjentesh për dy kompani.
Berlusconi ka hyrë në gjykatë në bordin e veturës së tij, e ndjekur nga makinat e tjera me truproje, pa bërë asnjë deklaratë për mediat.
Në hapje të seancës gjyqtarët kanë vendosur se David Mills “është i detyruar për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe të thotë të vërtetën”.
Për rrjedhojë avokati anglez do t’u përgjigjet pyetjeve nga palët përmes një lidhjeje me videokonferencë nga Londra.
Trupi gjykues ka sqaruar se është e pamundur të pranohet kërkesa e mbrojtësve të tij për ta dëgjuar si të pandehur-dëshmitar, duke i mohuar kështu të drejtën e opsionit për të qendruar në heshtje.
Mills, që duhet të përgjigjet për dëshmi të rremë në kuadër të cështjes “SME”, duke qenë se është shfajësuar për një akuzë nga prokurorët e Milanos, mund të përmirësojë pozitën e tij vetëm nëse bën një apel në Gjykatën e Kasacionit, e cila mund ta shfajësojë më tej.
Për rrjedhojë, nuk është e mundur që avokati anglez të bëjë deklarata që mund të përkeqësojnë gjendjen e tij dhe nuk ka arsye për t’i njohur të drejtën për të qendruar në heshtje. Ai do të dëgjohet si dëshmitar i mbikëqyrur, domethënë në prani të mbrojtësve të tij.
Top Channel