Ministrja kosovare e Integrimit, Vlora Citaku e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel.
“Vizita e kancelares Merkel sjell mesazhin për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka deklaruar Citaku në një intervistë për “RTK”.
Me rastin e vizitës së Merkel, kryeqyteti i Kosovës, që nga aeroporti i Prishtinës, është mbushur me flamuj gjermanë dhe postera të kancelares.
Ndërkohë, “RTK” njofton gjithashtu se Policia e Kosovës me rastin e kësaj vizite të rëndësishme ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë.
Merkel po vijon vizitën e saj në Prishtinë, ku deri tani është takuar me kryeministrin Hashim Thaci. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel deklaroi se, Kosova duhet të japë kontributin e vet për të mirën e shtetit dhe rajonit.
“Për situatën në veri kam biseduar edhe me presidentin serb Boris Tadic dhe duhet gjetur forma e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Merkel.
Në konferencën për shtyp, duke qendruar tek situata në veri të Kosovës, zonja Merkel e ndërlidhi sërish fatin e Serbisë me përmbushjen e detyrimeve ndaj Kosovës.
Pyetjes se gazetarëve se, cfarë duhet të bëjë Serbia për Kosovën në këmbim të marrjes së statusit të kandidatit për në BE në mars të 2012-ës, Merkel u përgjigj duke kërkuar Serbisë largimin e strukturave të saj nga Kosova.
Top Channel