Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek ka deklaruar se ndarja e Kosovës do të përbënte një precedent negativ dhe të rrezikshëm për rajonin e Ballkanit.
“Ndarja nuk do të ishte një shembull i mirë për vendet e tjera në rajon. Ndarja mund të ndikojë në kufijtë e vendeve fqinje”, është shprehur Busek.
Më tej ai ka folur për Serbinë, vend që sipas tij Kosovën dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian i konsideron si dy procese të vecanta.
“Politikanët serbë për këtë cështje ndryshe flasin kur janë jashtë vendit dhe ndryshe veprojnë kur janë në shtëpi”, ka theksuar Busek.
Diplomati europian nga Austria është i njohur për qëndrimet e tij pro Kosovës dhe pro afrimit të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar ai kërkoi nga BE që të mundësojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.
Busek tha se arsyetimi se, me dhënien e vizave rritet kriminaliteti, nuk qëndron sepse BE-ja duhet ta luftojë këtë dukuri në veri të Kosovës.
“Jam shumë skeptik dhe i shqetësuar se ministrat e Brendshëm japin kritere shumë të vështira të frikësuar nga rritja e kriminalitetit. Por kemi shumë raste kur pikërisht për shkak të vështirësive në viza është rritur kriminaliteti, kështu që them se duhet të jemi më liberale në këtë drejtim”, theksoi Busek.
Erhard Busek u ndal edhe te cështja e mos njohjes së pavarësisë nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Sipas tij, pesëshja nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj, pasi Qiproja, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Rumania janë në pritje që të rregullohet cështja e minoriteteve në shtetin e ri.
Top Channel