Disa ditë pas publikimit të librit të saj të parë, ish-banorja e “Big Brother”, Neda Karafili, u detyrua të mbronte veprën e saj “Archea”, përballë kritikës së vendosur të gazetarit Andi Kananaj, në emisionin e “Pasdites”.
Pasi e konsideroi librin e saj si “revolucionar” dhe tregoi suksesin e madh që ka patur në ditët e para të publikimit, Neda u përball me konstatimin se vepra e saj ishte boshe, e pavlerë dhe patetike.
“Unë mendoj se libri duhet të plotësojë dy kushte që të dalë në treg, pasi është një përgjegjësi t’i marrësh kohën publikut. Kushtet janë përmbajtja dhe forma. E lexova librin, por nuk gjeta asgjë të re, forma kalonte shumë shpejt në patetizëm. Këta si të Nedës quhen libra “harmoni”, libra ku patetizmi kalon sensin e masës. Janë një grup njerëzish, të cilët nuk e kanë sensin e realitetit dhe preferojnë që t’i lexojnë këto vepra. Kritikë tjetër brenda thelbit, e lexova librin shpejt. Pas tregimit në poezi nuk gjeta asgjë të re. Po t’i merrja proza pa tituj, do t’i kisha vënë të gjitha të njëjtin emërtim”, u shpreh kritiku.
Duke iu kundërpërgjigjur oponencës së Kananajt, Neda veçoi se: “Libri është botuar në një shtëpi botuese prestigjioze. Botuesi, Luan Pengili, më tha që libri vlen dhe të gjithë e njohin si një profesionist që i jep më shumë rëndësi përmbajtjes se sa formës. Pasi e lexoi, fjala e parë që më tha ishte: “Ti ke talent”. Sipas tij, stili me të cilin unë shkruaj nuk është hasur më parë. Siç e pranon dhe vetë, e ke lexuar shpejt librin. Ky është një libër që nuk lexohet për dy ditë dhe as për dy javë. Duhet t’i rikthehesh frazës dhe stilit”.
“Pa dyshim, proza për motrën, historitë e tua personale dhe të miqve të tu nuk kanë asnjë interes për lexuesin dhe aq më pak për letërsinë”, reagoi Kananaj. “Libri më duket i shkruar në gjimnaz, mbizotëron naiviteti fëminor. Do prisja librin e dytë përpara se të thoja në shkruan mirë apo keq. Janë disa shtëpi të mëdha botuese në botë, që kanë botuar libra pa asnjë vlerë dhe përmbajtje. Njëri prej tyre quhej “Delet Kriminele”. Është një reklamë që merret gratis, një libër harmoni, që lexohet për të shtyrë kohën, por që nuk sjell absolutisht asgjë të re. “Archea” e gjeta patetik, me fraza të stresuara. Fraza vinte e vështirë, donte me doemos të tregonte që ju aspironi si intelektuale, por ti hyn në një terren publik. Shkrimtari kur shkruan një libër të keq, është si gangsterat që ecin në Tiranë me xhama hapur e muzikë të lartë. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë, por ndërkohë bezdis të tjerët”.
Sipas Nedës, “çdo gjë revolucionare dhe e pashkelur më parë, do të kontenstohet fillimisht. Në pasthënien e librit, një penë e shquar e letërsisë shqiptare, Visar Zhiti, ka lënë emrin e tij dhe komentet. Nuk besoj se ai do të njolloste emrin e tij, për të vlerësuar një libër pa vlerë”.
“Jo të gjithë që shkruajnë janë shkrimtarë. Me fjalët e shprehjet që ka në libër mund të shkruhej një fjalor. Unë kuptoj edhe dashamirësinë e shkrimtarëve të mëdhenj, kur shohin njerëz me dëshirë për të ecur përpara, i japin nga pasioni i tyre. E vështirë të lexosh, jo më të shkruash në Shqipëri. Bukovski thotë, pas 18 vjeç, shkruajnë ose shkrimtarët, ose të çmendurit. Është e qartë që mbas disa kohësh, askush s’do e mbajë mend. Ndjeshmëria ndaj nënës, motrës, vëllait, etj, janë tema pa pikë vlere”, theksoi Kananaj.
Duke mbrojtur publikisht librin e saj, me tone të kontrolluara, Karafili u shpreh: “Imagjinata është faktori më i rëndësishëm që rrotullon botën. Po, ka lexues që nuk i lexojnë këto libra. Duan të lexojnë libra historikë, libra të tjerë dhe kjo është e drejta e tyre. Por, të garantoj edhe se ka lexues që kanë në thelb shpirtin. Ky libër, në radhë të parë vendos në punë shpirtin dhe jo mendjen”.
Përpara përballjes me kritikën, Neda rrëfeu në studion e Pasdites, emocionet e saj pas publikimit të librit të parë. “Jam shumë e kënaqur dhe e surprizuar nga fakti që në vetëm dy ditë, ka patur shumë interes, shitje dhe kureshjte për ta lexuar nga ana e publikut”.
“Komentet e Visar Zhitit flasin për një libër të bukur dhe të ndjerë. Për këtë jam e nderuar”, shprehet ish-banorja e “Big Brother”, e cila nuk e konsideron veten ende si një shkrimtare. “Kam pasion, përpiqem të gjej vendin tim në botën e letërsisë. Libri është bërë me dashuri dhe ka qenë një ëndërr e hershme e imja. S’kam sakrifikuar asgjë, kam shkruar siç e kam ndjerë dhe në mënyrë spontante. Nuk jam një shkrimtare, por një autore, e cila aspiron që të bëhet një shkrimtare e së nesërmes”.
Në intervistën e saj, Neda shpjegoi edhe përse e ka titulluar librin “Archea”. “Kam rënë në dashuri me konceptin e “Archeas” që kur e lexova për herë të parë. Unë studioj filozofi dhe themelimin e filozofisë, në shkollën e miletetit, ne njohim konceptin që quhet “Archea”. Natyralistët mendojnë se bota ka nisur nga një parim fillestar që quhet arche. Disa e kanë menduar si ajri, disa si uji. Është parimi fillestar dhe lëvizja fillestare e dickaje të pandryshuar, nga ku lind gjithçka. Ishte fillesa e gjithçkaje dhe nje ogur i mirë për të ardhmen”.
Çfarë është archea për Nedën?… “Në ato faqe libri kam shprehur çështë “Archea” për mua, tematika të ndryshme, libër artistik i frymëzuar nga dashuria, i shkruar në periudhë të shtrirë kohe, pas përvojës së “BB”. Libri është i përbërë nga 71 copëza prozash në total”, përfundoi Neda.
Top Channel