Presidenti i fundit i Cekosllovakisë dhe i pari i Republikës Çeke, Vaslav Havel ndërroi jetë në moshën 75 vjecare, në shtepinë e tij në veri-lindje të Pragës, pas një lëngate të gjatë.
Ai ishte protagonisti absolut i “Revolucionit të Kadifenjtë” të 1989, që i dha fund regjimit komunist.
Dramaturgu disident ishte frymëzuesi i “Kartës 77”, i njohur si manifesti për të drejtat e njeriut. Jo i dhunshëm për bindje, në vjeshtën e vitit 1989, Havel arriti të mundë filosovjetikun Husak, pa asnjë përleshje të dhunshme. E pikërisht në këtë forme, njeriu paqetar, që më pas u bë president, dëshmoi ndarjen e Republikës Ceke dhe Sllovakisë, në vitin 1993.
Si një ish-duhanpirës, Havel ka patur shpesh probleme me shëndetin, që datojnë prej viteve kur dergjej në burgjet komuniste. Atij i ishte hequr një pjesë e mushkërisë, pas një nderhyrje kirurgjikale në vitet 1990.
Më 12 Janar të vitit 2009, u dërgua me urgjencë në spitalin e Pragës, me vështirësi në frymëmarrje dhe iu nenshtrua një operacioni në fyt.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi Havelin si një europian të madh, përmes një letre ngushëllimi drejtuar Presidentit Vaslav Klaus. “Ne gjermanët, vecanërisht i jemi shumë mirënjohës. Mbajmë zi për humbjen e një Europiani të madh”.
Kryeministri britanik, David Kameron tha se Europa i ka Havelit një borxh të madh. “Për vite me radhë komunizmi u përpoq ta shtypte për t’i mbytur zërin, por Haveli kurrë nuk heshti”.
Ministri i Jashtëm Suedez, Karl Bild, përmes rrjetit social Tuiter e cilësoi Havelin si “një nga europianët e mëdhenj të epokës sonë.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në mesazhin e ngushëllimit, drejtuar homologut cek, Petr Necas tha se me humbjen e Havelit, kombet ish-komuniste humbën frymëzuesin e kalimit të tyre paqësor nga diktaturat totalitare në liri, mikun e tyre të madh”.
Shqiptarët mundën ta shohin për herë të fundit, Vaslav Havelin në dokumentarin e transmetuar në Top Channel, me regji të Pirro Milkanit, “Kadare”, ku ai shprehu vlerësimin dhe respektin për shkrimtarin e madh shqiptar.
Top Channel