Autokolona e fundit e trupave amerikane në largim nga Iraku kaloi mëngjesin e së dielës kufirin për në Kuvajt, duke shënuar kështu tërheqjen përfundimtare të ndërhyrjes që rrëzoi Saddam Hussein nëntë vjet më parë.
Kalvari ushtarak ishte i përbërë nga 100 mjete të blinduara, të cilat mbanin 500 ushtarë. Në kulmin e operacioneve, 170 mijë trupa amerikane zbarkuan në 500 baza të ndryshme në Irak.
SHBA largohet nga ky konfliktin me një bilanc prej 4 500 të rënësh në betejë, shumë më pak se dhjetëra mijërat e viktimave që i shkaktoi lufta Irakut. Në nëntë vitet e tij, kostoja e operacionit vlerësohet me 1 trilion dollarë.
Me largimin e amerikanëve, e gjithë barra e sigurisë bie tek trupat vendase, detyra për të cilat nuk do të jetë e lehtë, duke llogaritur se dhuna vret mesatarisht 350 njerëz në muaj.
Kryeministri i Irakut, al-Maliki, në një takim me Obamën në Uashington më parë gjatë javës mori garanci për mbështetjen amerikane që do të vazhdojë, por ndërkohë sfidat me të cilat përballet shteti i madh arab janë të shumta.
Ndërsa autokolona po kalonte në shkretëtirën për në Kuvajt, një krizë politike shpëtheu në vend, pasi deputetë e një partie kryesore opozitare vendosën të tërhiqeshin nga parlamenti.
Sipas mediave ndërkombëtare, shumica e irakenëve janë të kënaqur për lirimin e vendit të tyre, por mbeten thellësisht të shqetësuar për rreziqet që ofron e ardhmja.
Top Channel