Franca paralajmërohet përsëri për zhvlerësim

18/12/2011 11:20

Agjensia e vlerësimeve financiare, “Fitch”, rikonfirmoi vlerësimin maksimal AAA për Francën, por paralajmëroi ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës për mundësinë e afërt të zhvlerësimit.

Në një raport të bërë publik mëngjesin e së dielës, vlerësimi për Francën kalonte nga AAA i qëndrueshëm në AAA negative. Një perspektivë negative, zakonisht mund të sjellë zhvlerësimin brenda 12-18 muajve.

“Fitch” argumentoi se ndryshimi në perspektivën e ekonomisë franceze u shkaktua si pasojë e rreziqeve që vijnë nga kriza e Eurozonës, ndaj të cilës bankat e vendit janë veçanërisht të ekspozuara. Borxhi prej 80% i Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte gjithashtu një arsye.

Në raportin e saj të së dielës, “Fitch” informoi se është duke konsideruar zhvlerësime edhe për Belgjikën, Spanjën, Italinë, Slloveninë, Irlandën dhe Qipron. Duke qenë se të gjashtë këto vende kanë perspektivë negative, në rastin e tyre do të bëhej fjalë për reduktimin e normës së kreditimit.

“Pas samitit të datës 9-10 dhjetor, “Fitch” arriti në përfundimin se një zgjidhje e arsyeshme dhe e përbashkët për krizën e Eurozonës është teknikisht dhe politikisht i paarritshme”, shkruhej në raport.

Një tjetër agjensi vlerësimi, “Stadard & Poor”, gjithashtu paralajmëroi më parë gjatë muajit se Franca mund të vuajë veçanërisht krizën e Eurozonës, deklaratë që ngjalli një reagim të ashpër nga Parisi zyrtar, i cili theksoi se vende si Britania, të cilat nuk janë paralajmëruar asnjëherë, kanë një situatë ekonomike më të keqe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA