Promovimin e librit të tij “Kurban”, Edi Rama e ka zgjeruar përtej kufijve të Shqipërisë, por gjithmonë duke patur në qendër të vëmendjes shqiptarët, pavarësisht statusit të tyre social.
Në Selanik të Greqisë punojnë dhe jetojnë shumë prej tyre dhe promovimi i “Kurbanit” ishte një rast i mirë për liderin e opozitës t’u shprehë emigrantëve shqiptarë mirënjohjen për gjithçka ata kanë bërë për vete dhe familjet e tyre në Shqipëri.
Ky takim i zotit Rama me emigrantët shqiptarë ishte edhe një rast për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në emigracion, por edhe për të treguar se sa inekzistent ka qenë shteti shqiptar në këto dy dekada për t’u ardhur në ndihmë shtetasve te tij.
“Në rast se sot ju shiheni ndryshe, kjo është merita juaj. Shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë të ngjashme me atë që keni bërë ju. Nëse shteti do të ishte ngritur në nivelin tuaj ne do të kishim një shtet po aq dinjitoz sa jeni ju. Ata që dje ju keqpritën, sot ju mirëpresin sepse ua keni imponuar ju me punën, sakrificën dhe dinjitetin tuaj”, u shpreh Rama.
Por, nëse emigrantët shqiptarë kanë arritur sot të stabilizohen dhe të integrohen në vendet ku emigrojnë dhe të shndërrohen në një mbështetje të rëndësishme financiare edhe për familjet e tyre në Shqipëri, kjo për Edi Ramën nuk është e mjaftueshme. Duke i parë emigrantët si një potencial i madh dhe i rëndësishëm demokratik, në takimin e Selanikut, Edi Rama, kërkoi angazhimin maksimal të emigrantëve për të kontribuar politikisht me votën e tyre.
“Unë besoj se Shqipëria në kushtet që është sot edhe pas 20 vjetëve, nuk mund ta bëjë dot kapërcimin e madh pa mbështetjen tuaj. Jo mbështetjen ekonomike, por mbështetjen politike. Në rast se deri më sot organizimi i emigrantëve për të votuar ka qenë histori sporadike, sot ky është një imperativ për ju dhe për ne. Në Shqipëri ju keni shumë për të bërë. Ta mendoni veten pjesë të procesit politik dhe të ndikoni e ndihmoni që sa më shumë prej jush të organizoheni dhe të vijnë për të votuar me çdo sacrificë”, shtoi Rama.
Cështja e votimit të emigrantëve është ngritur disa herë këto vitet e fundit, por deri tani në legjislacionin shqiptar nuk përcaktohet e drejta e emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë.
Kjo çështje nuk është tani për tani as në rendin e punës të komisionit për reformën zgjedhore dhe mesa duket, vota e emigrantëve do të varet sërish nga mundësitë dhe vullneti i tyre për të ardhur në Shqipëri ditën e zgjedhjeve.
Top Channel