“The Daily Star” e Londrës zbulon se një ndër-kriminelet më të kërkuar në Britani, Ilir Kumbaros, iu hoq pajisja elektronike e monitorimit të lëvizjeve të tij nga një gjykatë britanike përpara pesë muajsh dhe ju zvogëluan në numër paraqitjet e detyrueshme në polici për të konfirmuar vendndodhjen e tij në Londër.
Në shkrimin me titull “Më tregoni se ku ma keni varrosur babain”, djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha flet për gazetën britanike “The Daily Star” të së dielës. Ai i lutet Ilir Kumbaros të tregojë të vërtetën e babait të tij të zhdukur.
Ilir Kumbaro që prej afro 20 ditësh ndodhet në arrati dhe për të është lëshuar urdhër arresti nga një gjykatë e Londrës ku ai nuk u paraqit në seancën e rradhës së ekstradimit të tij në Shqipëri menjëherë pasi Gjykata Supreme e Shqipërisë kërkoi dërgimin e tij në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.
Djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, Ardian Hoxha thotë se nuk e kuptoj se si një akt i tillë, idiotesk, të mund të merret nga autoritetet britanike, kur e dinin se ai ishte një kriminel i kalibirit të lartë.
Sipas Ardian Hoxhes, “Ilir Kumbaro është personi që fizikisht e morri babain tim nga vendi i punës dhe më pas e torturoi atë dhe bëri që babai im të vdiste nga torturat dhe më në fund bëri që trupi i tij të zhduket. Ai është personi që e pa për herë të fundit babain tim. Kumbaro është personi që di vendodhjen e trupit të babait im. Ndaj të lejosh një njeri të tillë të zhduket i shkakton akoma më shumë dhimbje familjes sime dhe njerëzve që e njihnin babain tim”, thotë për “The Daily Star”, Ardiani, djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, për të cilin akuzuohet Ilir Kumbaro.
“Ajo që ne kërkojmë është të dime ku janë eshtrat e babait tonë, që t’i bëjmë një varr ku të prehet dhe të dimë që është i vdekur. Është shumë e vështirë të jetosh me një ndjenjë të tillë cdo ditë”, thotë Ardian Hoxha për gazetën angleze.
Kërkimet për Ilir Kumbaron ende vazhdojnë dhe autoritetet britanike besojnë se ai fshihet nga miqtë e tij.
Top Channel