Përplasja Londër-Paris

17/12/2011 00:30

Zv/kryeministri britanik Nik Kleg i kërkoi Parisit të ndërmarrë hapa për të “qetësuar retorikën” sa i takon ekonomisë britanike.

Në fakt ai i referohet deklaratës së ministrit të Financave, Fransua Baro, i cili, gjatë nje interviste për radion Europa 1, e cilësoi “shqetësuese” situatën ekonomike në Britaninë e Madhe.

Pas kësaj deklarate, Kleg, përmes një bisede telefonike, i tha kryeministrit Fransua Fijo, se të tilla reagime “janë thjesht të papranueshme”.

Franca është paralajmëruar nga agjensia e klasifikimit të borxhit “Standard and Poors” se mund të humbë tre A-të si pasojë e krizës në eurozonë. Një tjetër agjensi e klasifikimit të borxhit, “Fitch” nuk i hoqi 3 A-të Francës, por i ndryshoi parashikimet për prespektiven nga “e qëndrueshme” në “negative”. Ky parashikim, do të thotë zhvlerësim në 12 apo 18 muajt e ardhshëm.  

David Kameron ka rrëzuar cdo pretendim, se marrëdheniet mes tij dhe presidentit francez Nikola Sarkozi janë përkeqësuar, pasi Britania e Madhe refuzoi të ishte pjesë e marrëveshjes së re mes vendeve anëtare të BE-së, për t’i bërë ballë krizës ekonomike.  

Të enjten, Guvernatori i Bankës Qëndrore të Francës, Kristian Nuajer tha se agjensitë e klasifikimit duhet të zhvlerësojnë më parë Britaninë e Madhe dhe jo Francën, sepse ekonomia e saj është më e dobët.

Zyrtarët britanike do t’i bashkohen bisedimeve të vazhdueshme të eurozonës, pavarësisht vetos për ndryshime në traktat, të mbështetura nga të gjithë vendet anëtare të bllokut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA