Përmbytjet në Filipine, mbi 400 viktima

17/12/2011 17:40

Përkeqësohet bilanci i viktimave të shkaktuara nga përmbytjet në Ishujt Filipine. Autoritetet zyrtare bëjnë me dije se personat që kanë humbur jetën nga ujërat që vërshuan furishëm nëpër qendrat e banuara në ishujt jugorë, ka shkuar në 436 vetë.

Dhjetra mijëra persona janë larguar për në zona më të larta të vendit, nënvizojnë autoritetet, të cilat janë të alarmuara nga situata e rëndë.

Benito Ramos, drejtues i Agjencisë për përballimin e emergjencave kombëtare tha se niveli i përmbytjeve është rritur në mënyrë alarmante gjatë natës, teksa njerëzit ishin duke fjetur.

“Përmbytje masive janë raportuar në të gjithë rajonin, sidomos në Qytetin Iligan dhe Kagajan de Oro”, tha zyrtari i lartë, duke shtuar se lumenjtë kanë dalë nga shtrati i tyre pasi 25 milimetra shi ra në 24 orë.

Zona të gjera kanë mbetur pa energji elektrike dhe disa fluturime të brendshme janë pezulluar për shkak të erës që fryn më 90 kilometra në orë në të gjithë ishullin.

Një zëdhënës ushtarak, koloneli Leopoldo Galon deklaroi se një divizion i tërë ushtarak, me rreth 10 mijë ushtarë, është angazhuar në operacionet e shpëtimit.

Trupat e pajetë të rreth 100 personave, shumica e të cilëve fëmijë, u gjetën në Kagajan de Oro, ndërkohë që një rrëshqitje toke në lindje të ishullit vrau dhjetra të tjerë persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA