Medvedev: Kritikat e SHBA? S’na interesojnë

17/12/2011 17:20

Presidenti rus, Dmitri Medvedev është shprehur se Moskës nuk i interesojnë opinionet dhe raportet kritike të Uashingtonit në lidhje me procesin zgjedhor të mbajtur së fundmi në Rusi.

Medvedev u takua me kreun e partisë së Putin, “Rusia e Bashkuar”, të cili i ka bërë të ditur qendrimin e tij në lidhje me procesin zgjedhor si dhe e ka informuar atë për detajet e bisedës telefonike me presidentin amerikan, Barack Obama.

“Ju mund t’i quani zgjedhjet toni si të doni, për ne nuk ka kurrfarë rëndësie. Të flasim sinqerisht nuk nuk u japim kurrëfarë rëndësie deklaratave të Uashingtonit në lidhje me procesin tonë zgjedhor”, mësohet t’i ketë thënë Medvedev presidentit Obama sipas mediave ruse.

Barak Obama ka ngritur pyetje lidhur me zgjedhjet e kontestuara parlamentare të Rusisë gjatë një bisede telefonike me Presidentin Dmitri Medvedev.

Në një deklaratë të saj të premten, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje njoftimet për mënyrën e parregullt të zhvillimit të zgjedhjeve, por mirëpriti angazhimin e zotit Medvedev për hetimin e akuzave. Sipas Zërit të Amerikës, Obama vlerësoi gjithashtu përgjigjen e autoriteteve ruse për të lejuar mbajtjen e demonstratave kundër zgjedhjeve.

Policia ruse njoftoi se rreth 20 mijë njerëz dolën nëpër rrugët e Moskës të shtunën e kaluar dhe mijëra të tjerë protestuan në qytete të tjera të vendit kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare të fituara nga partia “Rusia e Bashkuar” e kryeministrit, Vladimir Putin. Putin do të kandidojë për zgjedhjet presidencialë në muajin mars.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cilësoi protestat shprehje të shoqërisë civile që përputhet me qëllimin e zotit Medvedev për modernizimin e vendit.

Një tjetër temë bisede ka qenë marrja e ftesës për anëtarësimin rus në Organizatën Botërore të Tregtisë, hap ky të cilin presidenti Obama e përshëndeti gjatë bisedës telefonike me shefin e Kremlinit. Në deklaratë thuhet se të dy presidentët e vlerësuan arritjen, si një tjetër rezultat të marrëdhënieve të reja bilaterale mes dy vendeve që do t’i shërbejë si Shteteve të Bashkuara ashtu edhe Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA